Policia e Mirditës vijon hetimet për zbardhjen e vrasjes së Viktor Bardhit, i cili u ekzekutua me armë zjarri mëngjesin e të enjtes në fshatin Ndërfushaz. Deri në këto momente nuk ka persona të arrestuar për ngjarjen, ndërsa hetuesit vijojnë verifikimet dhe marrjen në pyetje të personave që mund të kenë dijeni për rrethanat e krimit.
Pista kryesore e hetimit mbetet ajo e hakmarrjes, në një histori të vjetër konflikti mes familjeve Bardhi dhe Reçi. Në kuadër të hetimeve janë sekuestruar gëzhoja dhe materiale të tjera, të cilat pritet t’i nënshtrohen ekspertizave për të ndihmuar në identifikimin e autorëve dhe zbardhjen e dinamikës së atentatit.
Bardhi që njihej edhe me mbiemrin Marku u qëllua me rreth 30 plumba në makinën e tij. Pas atentatit, makina e bërë shosh nga plumbat është përplasur me barrierat e urës duke marrë dëmtime në pjesën e përparme. Atentati ndodhi shumë pranë Rrugës së Kombit dhe Autorët dyshohet se e kanë ruajtur dhe kanë ditur lëvizjet e viktimës, duke e pritur në një moment kur ai ishte i vetëm.
Hetuesit po punojnë për të dokumentuar çdo provë të mundshme, edhe makinën e djegur të autorëve, ndërsa vijojnë verifikimet në terren dhe marrja në pyetje e personave që mund të kenë dijeni për ngjarjen. Deri në zbardhjen e plotë të rrethanave, pista e hakmarrjes mbetet një hipotezë e hetimit, pasi viktima nuk kishte probleme me drejtësinë shqiptare dhe ishte punonjës i ujësjellësit në Mirditë prej kohësh.
/vizionplus.tv





