Pas projektit Durrës-Tiranës-Rinas dhe Vorë- Hani i Hotit një tjetër vepër infrastrukturore e rëndësishme ka siguruar financim.
Linja hekurudhore Durrës-Rrogozhinë, pjesë e korridorit të VIII u zyrtarizua këtë të martë me firmosjen e marrëveshjes financiare mes qeverisë shqiptare dhe Bankës Evropiane të Investimeve, për një grant me vlerën 60.5 mln euro.
“Një marrëveshje e cila i jep një tjetër gur kilometrik Shqipërisë në zhvillimin e transportit hekurdhor. Durrës-Rrogozhinë, duke nisur kështu një rrugëtim i cili do të bashkohet dhe do të ndërlidhet edhe me hapat e tjerë që kemi hedhur për Korridorin e VIII, siç është autostrada apo edhe autostrada energjetike që lidh Shqipërinë me Maqedoninë e Veriut. Të gjithë këto komponentë po plotësojnë një puzzle të madh të transportit hekurudhor, një nga transportet më të rëndësishëm për Bashkimin Europian, duke qenë se i ofron eficiencë financiare çdo qytetari dhe nga ana tjetër është miqësor me ambientin”, tha Balluku.
Ky projekt parashikon rehabilitimin e plotë të hekurudhës Durrës-Rrogozhinë 34 kilometra të gjatë. Shpejtësia e lëvizjes do të jetë 120 km/orë, ndërsa kostoja totale do të kap vlerën e 120.5 milion eurove, ku përveç grantit, pjesa tjetër do të jetë hua nga dy institucionet financiare Berzh dhe Bei.
Ministrja njoftoi gjithashtu se së shpejti në Shkodër do të prezantohet dhe projekti për linjën Durrës-Prishtinë.
“Në ditët në vazhdim ne do të kemi edhe një prezantim të projektit kombëtar, një projekt me interes shumë të madh për zhvillimin ekonomik të Shqipërisë dhe të Kosovës. Bëhet fjalë për hekurudhën e kombit, e cila do të prezantohet në Shkodër, aty ku do të jetë dhe stacioni nga Shkodra për në Gjakovë”, tha Balluku
Viti 2025 do të shënojë dhe fillimin e punimeve për linjën hekurudhore Vorë-Hani i Hotit./vizionplus.tv




