Subscribe

Hapet “AgroPark Tirana”, hapësira më e re publike e tregtimit bujqësor në Tiranë. 200 fermerët e parë kanë nisur shitjen e produkteve bio, të certifikuara me të gjitha standardet e sigurisë ushqimore të Bashkimit Europian.

 

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, së bashku me ministren e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca, përuruan sot tregun e ri publik të Farkës, me sipërfaqe totale 25 mijë katrorë, i cili do të vijojë të zgjerohet, duke dyfishuar hapësirën tregtare dhe numrin e fermerëve që do tregtojnë në këto ambiente.

 

“Shumë faleminderit nga zemra të gjithë atyre që janë bashkautorë dhe kumbarë të kësaj vepre të jashtëzakonshme që lind sot. Është tamam si kurora e një mbretëreshe, e cila si gurë të çmuar ka Petrelën, Farkën, Baldushkun, Dajtin, Zall Bastarin, Zall Herrin, Ndroqin, Vaqarrin, Pezën. Shumë faleminderit që kujdeseni për kurorën e Tiranës dhe shumë faleminderit që e keni bekuar me energji pozitive gjithë këtë aksiomë, e cila besoj do transformojë si kurrë më përpara bashkëjetesën me Tiranën urbane, që është hapësira më e madhe ekonomike, jo vetëm e qarkut Tiranë, por e gjithë Shqipërisë”, u shpreh Veliaj.

 

Ai shpjegoi se si do funksionojë tregu i ri publik, i cili, sipas tij bashkon prodhimet më të mira të zonës.

 

“Duke filluar nga gjelat e Baldushkut, te vaji i ullirit të Ndroqit, te vreshtat dhe vera e Lundrës dhe domatja e vonë Shëngjergjit, janë të gjitha të shpërblyera. Gjithë ai mund dhe gjithë ajo ambicie që kemi pasur prej vitesh për të pasur një hapësirë, një treg publik, diçka që nuk funksionon për qëllim fitimi, por për qëllim mbështetje, më në fund sot bëhet realitet. Ta gëzojmë tregun e ri agroushqimor të shumicës, tregun publik të Tiranës. Do funksionojë pak si treg, pak si bursë, pak si agregator biznesi. Na kanë kontaktuar disa kompani të ndryshme, deri në Izrael, që të sigurohemi që këtu ka një kënd ku mësohen teknikat e reja dhe gjetjet më të fundit në shkencë. Edhe agropërpunimi është kthyer gjithashtu në një shkencë,” deklaroi Veliaj.

 

Ai thumboi edhe kundërshtarët politikë, që po premtojnë gjithçka falas në këtë fushatë, teksa tha se në këtë treg fermerët do të kursejnë 70% të kostove, që deri më tani shkonin për privatin.

 

“Dua ta sqaroj që në fillim se këtu nuk ka asgjë falas. Nuk ka falas sepse ai fermeri që zgjohet në 3 të mëngjesit për të punuar tokën, do duhet të paguajë gjithashtu fatura, duhet të paguajë librat e shkollës, duhet të paguajë veshjet e fëmijëve. Mundi i të gjithë atyre që kanë punuar dhe që punojnë në bujqësi do shpërblehet sipas rregullave të tregut të lirë, ku ata do duhet të jetojnë me dinjitet. E vetmja gjë që ne mund të bëjmë dhe që bëjmë në këtë treg është që heqim 70% të kostos, që kishte tregu privat, që shkonte për fitim të pronarit. Këtu pronari është Bashkia e Tiranës dhe bashkë me qeverinë jemi bashkëfinacues të këtij projekti. Nuk është falas, por atë 70% që e fuste në xhep privati, duke e kthyer në monopol edhe mënyrën si shtrohej tavolina e bukës në Qarkun e Tiranës, sot zerohet sepse Bashkia e Tiranës dhe qeveria nuk ka nevojë të nxjerrë fitim nga tregu,” u shpreh Veliaj.

 

Ai tha se në një fazë të dytë do të kemi një dyfishim të kësaj hapësire.

 

“Më vjen mirë që faza e parë përfundoi 100% me sukses dhe kemi një hapësirë prej 6000 metra katrorë sipërfaqe për magazina, tregtim ditor të hapur 2000 metra katrorë, hapësirë parkimi prej 6000 metrash katrorë dhe një sipërfaqe totale në dispozicion prej 25 mijë katrorë. Në fazën e dytë duam ta rrisim sipërfaqen e tregtimit dhe magazinimit me 20 mijë metra katrorë të tjerë, ose 200 operatorë të tjerë, sipërfaqen e tregtimit ta çojmë në 4000 metra, pra me 200 fermerë të tjerë dhe me një hapësirë tjetër prej 6000 metra katrorë sipërfaqe parkimi, duke e bërë sipërfaqen totale në dispozicion 55 mijë metra katrorë”.

 

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca tha se kjo hapësirë plotëson të gjitha standardet evropiane të sigurisë ushqimore.

 

“Agropark Tirana është një tjetër vepër dhe një hap i sigurtë që hedhim drejt zhvillimit të bujqësisë, por dhe drejt zhvillimit të sigurisë ushqimore, për të rritur konkurrencën e ndershme mes operatorëve. Vetëm në Tiranë kemi 34 mijë fermerë që prodhojnë. Tirana, që tashmë përfaqëson tregun më të madh ushqimor konsumator në vendin tonë, vuante nga një mungesë e një hapësire ku të gjitha produktet të vinin me një cilësi të lartë e garanci të plotë të sigurisë ushqimore. Tashmë, kjo vepër është me standarde të larta të sigurisë ushqimore vendase, por të përputhura dhe me standardet e BE, se ushqimet këtu tregtohen në sipërfaqe që kanë dhoma frigoriferike që do i ruajnë ushqimet në këto standarde,” u shpreh Krifca.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *