Subscribe

Gara për ndërtimin e teatrit të ri u hap këtë të mërkurë zyrtarisht nga Bashkia e Tiranës.

 

I pranishëm në çeljen e garës, kryebashkiaku Erion Veliaj zbuloi detaje nga projekti, i cili përfshin edhe një parkim nëntokësor.

 

ERION VELIAJ

 

KRYETAR I BASHKISE TIRANE

 

“Duam që në çdo projekt të ri, të përdorim nëntokën, por dua t’ju them se nga këto mbi 7000 metra nëntokë, një pjesë do jetë patjetër për parkim. Hapësira më e madhe është salla kryesore, ku teatri mund të akomodojë në mënyrë simultane, pra në skena të ndryshme, 1514 vetë; kjo është disa herë më shumë se ç’akomodonte shtëpia prej tallashi që trashëguam.

 

Nga këto 1514 ulëse, 629 vende janë vetëm auditori kryesor, ai që quhet salla ikonike apo salla e madhe. Kemi edhe një black box me 250 vende, në formën e një shkallare. Kemi edhe një skenë të ndërmjetme, për ata që duan të vënë vepra të këtyre kapaciteteve dhe kemi pastaj një skenë në tarracë të hapur. Vendosëm që në fillim fare që ne të kemi edhe një skenë me 500 vende, që është komplet në tarracë, me shërbimet dhe lehtësirat e nevojshme. Pastaj, janë zonat e pushimit dhe ato teknologjike. Ne duam që të jetë një ndërtesë si stadiumi, që jetohet 24/7.”

 

Sipas Veliajt, ky do të jetë një teatër që do t’u shërbejë të gjithëve, pavarësisht kundërshtive kur u prish godina e vjetër.

 

ERION VELIAJ

 

KRYETAR I BASHKISE TIRANE

 

“Kush është serioz dhe kush nuk do ta përdorë historinë për të bërë histeri, duhet ta shohë të vërtetën ashtu siç është. Detyra jonë nuk është që të na pëlqejnë të gjithë. Detyra jonë është t’u shërbejmë të gjithëve. Detyra jonë është bëjmë një teatër, ku do vijnë si të majtët, si të djathtët, si të moshuar, si fëmijë, si tironsat ‘den baba den’, si ‘jabanxhinjtë’ që kanë ardhur qoftë edhe për të parë teatër. Kjo është detyra jonë.”

 

Veliaj sqaroi se ndërtimi i teatrit u vonua deri tani për shkak të krizës dhe shtrenjtimit të çmimeve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *