Hakerët ukrainas janë përgjegjës për sulmin kibernetik të sotëm në shkallë të gjerë ndaj kompanisë shtetërore ruse të medias VGTRK, e cila përkoi me ditëlindjen e 72-të të presidentit rus Vladimir Putin, sipas një burimi të qeverisë ukrainase.
Duke folur në kushte anonimiteti, një zyrtar ukrainas i tha Reuters se hakerët “e uruan Putinin për ditëlindjen e tij me një sulm në shkallë të gjerë ndaj një kompanie transmetuese shtetërore”.
Agjencia e lajmeve nuk mund ta konfirmonte në mënyrë të pavarur këtë pretendim.
Uebfaqja ruse e lajmeve Gazeta.ru, duke cituar një burim të paidentifikuar, tha se sulmi kibernetik kishte në shënjestër shërbimet online dhe të brendshme të kompanisë VGTRK, e cila gjithashtu zotëron dhe menaxhon stacionet radiofonike dhe kanalet televizive rajonale.
“Transmetimet në internet dhe shërbimet e brendshme janë të ndërprera, madje edhe interneti dhe telefonat janë të fikur. Do të duhet shumë kohë për t’i restauruar ato”, tha burimi.
“Kam dëgjuar se hakerët kanë fshirë gjithçka nga serverët, duke përfshirë kopjet rezervë”, shtoi ai.
Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme Maria Zakharova, duke folur në Moskë, nuk tha se kush qëndron pas sulmit, por u tha gazetarëve se mediat ruse kanë qenë prej kohësh objektiva të sulmeve kibernetike.
Moska do të ngrejë çështjen e sulmit kibernetik në të gjitha forumet ndërkombëtare, përfshirë UNESCO-n, agjencinë e OKB-së që promovon lirinë e fjalës, tha Zakharova.
Nga ana e tij, zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha më herët se VGTRK ishte objektivi i një sulmi kibernetik të paprecedentë dhe se ekspertët po punonin shumë për të identifikuar përgjegjësit./vizionplus.tv