Bashkëkryetarja e Këshillit Politik për Reformën Zgjedhore, Rudina Hajdari ka kërkuar nga anëtarët e tjerë që mos e mbyllnin mbledhjen pa arritur një dakordësi për të gjitha çështjet. Deklaratën e bëri vetë ajo për mediat në përfundim të takimit.

Por sipas Hajdarit, përfaqësuesit e tjerë u ngritën menjëherë sapo nuk gjetën gjuhën e përbashkët. Përfaqësuesja e opozitës parlamentare këmbënguli tek ndryshimi i sistemit zgjedhor.

“Unë propozova të rrinim këtu sonte dhe të përmbyllnim të gjitha çështjet. Nuk e pranuan këtë, u çuan direkt pasi nuk morën përgjigjet që donin. Unë erdha këtu sot për ndryshimin e sistemit zgjedhor. Nuk kuptoj pse PD nuk e do këtë gjë? Erdha me dëshirën për të gjetur një formulë kompromisi, sot propozova një formulë që është mbështetur dhe nga ambasadorët, formulë që hap listën pjesërisht. Më thoni pse këta njerëz kanë kaq frikë për të hapur këto lista?”

Rudina Hajdari u shpreh e habitur sesi Partia Demokratike vijon të refuzojë ndryshimin e sistemit, ndonëse kjo gjë është në favor të Edi Ramës, sipas saj.

“Nuk e kuptoj Lulzim Bashën pse e do këtë sistem që e ka bërë Edi Ramën perandor. Më thoni pse Lulzim Basha do ta mbajë Edi Ramën perandor? Edhe pse sot këta qëndruan bashkë kundër këtij propozimi të denjë, nuk e bënë, nuk donin, thanë gjëra të ndryshme. Unë nuk e pranova si përgjigje sepse dua që në zgjedhje të shkojmë me lista të hapura. Unë nuk dorëzohem sepse në një anë kemi klasën e vjetër politike, në një anë kemi shqiptarët që duan ndryshimin e sistemit zgjedhor. Këta duan ta mbajnë kështu siç e kanë sistemin sepse u intereson Edi Ramës dhe Lulzim Bashës.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *