Të martën një gjykatës amerikan nuk pranoi kërkesën e biznesmenit kinez në mërgim Guo Wengui për të hedhur poshtë një padi që e akuzon atë për mashtrimin e mijëra investitorëve për një shumë prej rreth 1 miliard dollarësh.

Në Manhatan, gjykatësja Analisa Torres tha se prokurorët kishin ofruar prova të mjaftueshme se zoti Guo ishte përfshirë në një skemë mashtrimi dhe se çështja tani do të shkojë në gjyq.

Avokatët e zotit Guo nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesave për koment.

Zoti Guo ka thënë se është i pafajshëm për 12 akuzat penale, mes tyre mashtrimin e investitorëve, mashtrime bankare, transaksione të paligjshme monetare dhe pastrim parash.

Sipas aktakuzës, zoti Guo dhe bashkëpunëtorët e tij mashtruan investitorët në një kompani mediatike, kriptovaluta dhe sipërmarrje të tjera. Aktakuza thotë se zoti Guo shfrytëzoi figurën e tij publike në internet, i ndjekur nga qindra mijëra njerëz, duke premtuar fitime të mëdha financiare dhe përfitime të tjera.

Por në realitet, skema i lejoi ata që të pasuronin veten dhe anëtarët e familjeve të tyre, si dhe të financonin “mënyrën ekstravagante të jetesës” së zotit Guo, thuhej në aktakuzë.

Dy të akuzuar përballen me kallëzime penale të ngjashme dhe një tjetër akuzohet për pengim të drejtësisë.

I njohur gjithashtu si Ho Wan Kwok dhe Miles Kwok, zoti Guo është kritik i Partisë Komuniste të Kinës dhe një bashkëpunëtor biznesi me zotin Steve Bannon, ish këshilltar i Presidentit Donald Trump.

Zoti Guo ndodhet në një burg në Brooklyn të Nju Jorkut që nga arrestimi i tij në mars të vitit 2023.Vitin e kaluar, gjykatësja Torres dhe një gjykatë federale apeli refuzuan kërkesën e tij për lirim me kusht kundrejt një garancie prej 25 milionë dollarësh. Përzgjedhja e jurisë për gjyqin e tij është planifikuar të fillojë më 20 maj.

Prokurorët kanë kërkuar konfiskimin e pasurive të ndryshme, përfshirë llogaritë bankare, një jaht me vlerë 37 milionë dollarë, një rezidencë në Nju Xhersi, një veturë Bugatti, një Lamborghini dhe një Rolls Royce./VOA/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *