Situata kritike nga zjarret që përjetoi vendi ynë këtë verë erdhi edhe si pasojë veprimtarisë së qëllimshme të grupeve kriminale.
Kështu njoftoi ministria e Mbrojtjes pasi mbrëmjen e së enjtes një numër i konsiderueshëm vatrash zjarri u shfaqën në fshatrat Dukat, Drashovicë dhe Vajzë të Vlorës.
Lexo edhe :
Related Posts
Tipologjia dhe kronologjia e këtyre vatrave krijojnë bindjen e arsyeshme, thotë ministria e Mbrojtjes, se kemi të bëjmë jo vetëm me zjarrvënie të qëllimshme, por me një grup të strukturuar kriminal në veprim në këtë zonë, anëtarët e të cilit kanë zgjedhur të veprojnë në orët e natës, kur është e pamundur ndërhyrja nga ajri.
Por fatmirëisht pas reagimit të shpejtë të emergjencave civile të Vlorës, zjarri në fshatin Dukat i Ri është izoluar plotësisht, duke shmangur përkeqësimin e situatës dhe rrezikun ndaj zonave të banuara.
Ndërkohë, 3 vatrat e shfaqura njëherazi në lartësitë e staneve të Drashovicës dhe 2 vatrat e shfaqura në orën e fundit në Vajzë u shuan plotësisht edhe pas reshjeve që përfshinë një pjesë të mirë të vendit në orët e para të mëngjesit.
Po ashtu falë shiut u bë e mundur edhe shuarja e vatrave të tjera të zjarrit që prej disa ditësh ishin aktive.
Policia ka vënë në pranga një 43-vjeçar nga Drashovica, i cili ndezi zjarr pas një konflikti me bashkëfshatarin e tij dhe si pasojë e flakëve u dogj një sipërfaqe me ullinj dhe u rrezikuan bagëti të imta.
Edhe në Gramsh u arrestua një 26-vjeçar dhe u procedua penalisht babai i tij pasi ndezën zjarrin në fshatin Bersnik i Poshtëm, që dogji një sipërfaqe pylli dhe rrezikoi banesat përreth./vizionplus.tv






