Subscribe

Greqia vazhdon betejën me zjarret. Situata paraqitet më e rënduar në zonat përreth Athinës, në zonën verilindore si dhe në Peloponez. Rreth 290 zjarrfikës, 2 avionë dhe 2 helikopterë u aktivizuan për shuarjen e flakëve, të ndihmuar nga më shumë se 2000 forca policie.

 

Autoritetet raportojnë se kanë vënë nën kontroll vatrat më të mëdha të zjarreve, por paralajmërojnë se mund të ketë përkeqësim te situatës gjate orëve dhe ditëve ne vijim. Vetëm dy ditët e fundit në shtetin fqinj u evidentuan 91 vatra zjarresh.

 

Aktualisht ato janë aktive në brigjet verilindore të Atikës.

 

Përpjekjet e zjarrfikësve janë shumë të vështira për shkak të përhapjes së gjerë të flakëve.

 

Përveç Atikës, gjendja mbetet dramatike në ishullin Zakinthos, ku zjarret po djegin për të katërtën ditë rresht masivet pyjore.

 

Greqia kërkoi ndihmën e partnerëve evropianë për t’i bërë ballë tre zjarreve të mëdhenj, që kanë shkatërruar një nga mushkëritë e gjelbra të rajonit të Athinës.

 

Ministri grek i Drejtësisë u shpreh një ditë më parë se nuk është rastësi që vetëm në ishullin e Zakintos u aktivizuan 15 vatra zjarri në të njëjtën kohë. Sipas tij, zjarret janë pjesë e një plani të organizuar, me qëllim shkaktimin e tensioneve sociale në vend.

 

Sekretari i Përgjithshëm i Mbrojtjes Civile sqaroi se janë shkaktuar dëme të mëdha kryesisht në Greqinë Qendrore, Peloponez, Kretë etj.

 

Edhe pse nuk është bërë ende një bilanc zyrtar i dëmtimeve, dhjetëra banesa janë shkrumbuar tërësisht nga flaket. Fatmirësisht nuk raportohet për viktima.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *