Marrëveshja e katër shtatorit për normalizmin e marrdhënieve ekonomike mes Kosovës dhe Serbisë ka marrë shtysën e parë konkrete drejt zbatimit.

 

Një delegacion i qeverisë së SHBA i drejtuar nga kryeshefi ekzekutiv i Koorporatës Ndërkombëtare të Financave dhe Zhvillimit, Adam Boehler, nënshkruan në qeverinë e Kosovës, një deklaratë të përbashkët, përmes së cilës zotohen në përfundimin e shpejtë të një marrëveshjeje të re për nxitjen e investimeve Kosovë-SHBA.

 

Deklarata u nënshkrua në praninë e presidentit Hashim Thaçi, dhe të dërguarit të posaçëm të Shtëpisë së Bardhë për dialogun, Richard Grenell, i cili u dekorua nga kreu i shtetit me Medaljen Presidenciale të Meritave.

 

Në një konferencë për shtyp, Grenell deklaroi se do të zbatohet porosia e qartë e presidentit Donald Trump që të lihen pas zvarritjet politike dhe të vendoset në fokus zhvillimi ekonomik.

 

RICHARD GRENELL I DERGUARI I SHBA PER DIALOGUN

“Ju përcjell përshëndetjet e presidentit Trump, jam shumë i lumtur që ndodhemi këtu sot për tu zotuar mbi angazhimin tonë të plotë për normalizimin ekonomik. Nuk duam fjalë boshe por zbatimin e marrëveshjes përmes së cilës do të shtohen vendet e punës për të rinjtë, të rriten pagat, të ketë zhvillim ekonomik dhe të ndryshojë peizazhi politik në rajon.”

 

Ndërsa kryeministri Avdullah Hoti deklaroi se Kosova i afrohet gjithnjë e më shumë arritjes së marrëveshjes që do të përfundojë me njohje reciproke.

 

AVDULLAH HOTI KRYEMINISTER I KOSOVES

E them me kënaqësi dhe e kam për nder ta them që do të lëvizim shpejt për zbatimin e kësaj marrëveshjeje. Tanimë është krijuar një momentum i ri ekonomik në Kosovë dhe në regjion dhe bashkë me këtë momentum të ri ekonomik besoj se do të lëvizim përpara edhe në pjesën e normalizimit të marrëdhënieve politike.

 

Brenda 30 ditësh, ekipet amerikane do të mbërrijnë në Kosovë për dy studime fizibiliteti në fushën e energjisë, projekte që pritet të gjenerojnë mijëra vende të reja pune.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *