Subscribe

Kreu demokrat Lulzim Basha ka reaguar këtë të enjte në lidhje me grabitjen e ndodhur në aeroportin e Rinasit.

 

Në një deklaratë për mediat, Basha bëri përgjegjës për ngjarjen qeverinë, nga ku hodhi akuza në drejtim të kryeministrit Edi Rama.

 

Sipas Bashës, kreu I qeverisë po mundohet t’ia faturojë fajin kompanisë koncesionare ndërsa tha se në dritë kanë dalë fakte tronditëse.

 

“Rama po mundohet që dështimin e policisë dhe qeverisë dhe rënien e shtetit para krimit t’ia faturojë një kompanie private. Si për çdo gjë tjetër fajin e ka të tjerët. Ai as që e vret mendjen. Mendja e tij është si të vjedhë dhe grabisë Shqipërinë me oligarkët.”

 

Lideri demokrat deklaroi se përgjegjësinë për sigurinë e aeroportit e ka qeveria dhe se grabitja mund të ishte parandaluar nëse policia do të shoqëronte ngarkesën e parave.

 

“Përgjegjës për sigurinë në Rinas  dhe kudo është qeveria dhe shteti shqiptar dhe jo kompania. Në bordin e Autoriteti Civil është vetë ministri i Brendshëm, por ministri nuk ka qëllim që të mbrojë vendin dhe qytetarët nga kriminelët. Vetë Edi Rama ka pranuar publikisht se bandat luftojnë brenda qyteteve. Zonja dhe zotërinj në 48 orë pas ngjarjes kanë dalë fakte tronditëse në skenë. Ngjarja duhet të ishte parandaluar. Sandër Lleshaj në deklaratë i bëri bisht një fakti të rëndësishëm, nuk iu dha përgjigje.”

 

Basha bëri më tej akuza të forta pasi, sipas tij, grabitja është bërë me mbështetje qeveritare.

 

“Kompania ka dështuar të sigurojë sigurinë, figuron të jetë në bashkëpronësi me Eno Bushin, avokat i George Rifomatos, piloti italian i rrëzuar me drogë. Bashkëshortja e tij Joana Bushi është drejtoreshë e Trafikut Ajror dhe para kësaj ka qenë drejtoreshë e Belinda Ballukut. Për grabitjen ngrihen disa pyetje. Pse aksionerët e Aeroportit nuk vepruan, të lidhur ngushtë me Ramën dhe Belinda Ballukun, e me George Riforamton? Pse bandat grabitën prapë? Pse pas përplasjes me policinë, grabitësit u larguan? A janë 10 milionë eurot e vjedhura në dorën e bandës akoma? A janë shteti dhe organet e rendit përgjegjës vetëm për paaftësi apo kemi të bëjmë me bashkëpunim dhe grabitje të segmenteve të strukturave shtetërore? Këto lidhje janë njësoj si bashkëpunimi shtetëror në trafikun e drogës. Kemi pra struktura direkt bashkëpunuese në grabitje? Shteti i Ramës është i përlyer me vjedhjen, me krimin”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *