Një 28-vjeçar është arrestuar nga Policia e Durrësit pasi dyshohet se ka grabitur me dhunë portofolin dhe celularin e një shtetasi gjatë natës, në lagjen nr. 13 të qytetit.
Ngjarja ka ndodhur në rrugën “Pavarësia”, ku viktima, një 38-vjeçar, u sulmua dhe u grabit në rrugë. Menjëherë pas njoftimit, shërbimet e Stacionit të Policisë Plazh organizuan veprimet hetimore dhe identifikuan autorin e dyshuar si R. Z., 28 vjeç, banues në Durrës, i cili rezulton i dënuar më parë për vjedhje.
Hetimet zbuluan gjithashtu se R. Z. është autor i një tjetër vjedhjeje, të ndodhur më datë 5 qershor 2025, ku i ka marrë celularin një shtetasi tjetër.
I dyshuari u arrestua dhe ndaj tij u regjistrua procedimi penal për veprën “Vjedhja me dhunë”. Materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme procedurale.
/vizionplus.tv





