Gjigandët e teknologjisë po përballen me presionin e vazhdueshëm të rregullatorëve në mbarë botën. Së fundmi, dhjetë shtete amerikane, të udhëhequr nga Teksasi, kanë paditur kompaninë Google me akuzat për ndërmarrjen e hapave të paligjshëm për të ruajtur monopolin mbi tregun e reklamave në internet.

 

Google hodhi poshtë pretendimet, duke thënë se do të mbrohej fort në gjykatë.

 

“Ne kemi investuar në shërbimet më të fundit të teknologjisë së reklamave që ndihmojnë bizneset dhe prej të cilave përfitojnë konsumatorët. Tarifat e teknologjisë së reklamave të Google janë më të ulëta se mesatarja e industrisë. Këto janë shenjat dalluese të një industrie shumë konkurruese”, u shpreh një zëdhënës i kompanisë në përgjigje të padisë.

 

Procesi gjyqësor synon kontrollin e Google në tregun e reklamave në internet, i cili thotë se u forcua në vitin 2008 me blerjen e DoubleClick, programi kryesor që botuesit përdorin për të shitur reklamat në internet. Shitjet e reklamave të Google zënë mbi 80% të të ardhurave të saj.

 

Në betejën ligjore janë parashtruar edhe akuzat për arritjen e një marrëveshje me Facebook për të manipuluar ankandet e reklamave në internet.

 

Edhe Facebook këtë muaj u godit nga proceset gjyqësore nga Komisioni Federal i Tregtisë dhe pothuajse të gjitha shtetet amerikane, gjithashtu për abuzimin me monopolin.

 

Gjigandët e internetit po kritikohen gjithnjë e më shumë edhe për ndikimin e tyre në industrinë globale të mediave dhe botuesit e përmbajtjes.

 

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *