Kryeinspektori i Përgjithshëm, Shkëlqim Hajdari ka deklaruar se operacioni i SPAK ‘Golden Bullet’ është goditja më e madhe ndaj grupeve kriminale.

 

I ftuar në ‘Vizion Plus’ Hajdari e ka konsideruar operacionin si goditjen më të madhe për shkak të numrit të personave të arrestuar e të shpallur në kërkim dhe dëmit të madh të shkaktuar në ngjarjet që këta persona janë të përfshirë.

 

Është goditja penale më e rëndësishme e grupeve kriminale nisur nga personat e përfshirë, dëmi i madh i ngjarjeve dhe kjo është një tregues i cilësisë së punës të kryer nga SPAK dhe prokurorët që kanë punuar me këto çështje ndër vite.“- tha Hajdari.

 

Ish-Prokurori Hajdari vlerësoi punën e SPAK dhe u shpreh se të gjitha organet e tjera ligjzbatuese e parandaluese duhet të bëhen bashkë për të dërguar përpara drejtësisë kriminelët.

“Na mbetet të gjithëve ta vlerësojmë si një punë të shkëlqyer. Duhet të shërbej si një moment ku të gjitha organet e tjera duhet të bëhen bashkë për të luftuar e për të çuar para drejtësisë këta elementë të rrezikshëm. Nuk përjashtohet edhe mundësia që ky operacion të jetë dekonspiruar pasi të përfshirë kishte punonjës policie. Shoh një goditje 360 gradë, ka të dhëna që edhe familjarët e të arrestuarve janë marrë në mbrojtje. Ka të dhëna që shpejti do të ketë edhe të penduar të tjerë.”– u shpreh ai.

 

Për sa i përket deklaratave të kryeministrit Rama për hetimin e Metës dhe Berishës, Hajdari tha se strukturat e posaçme nuk kanë pengesë për te nisur hetime por edhe çdo hetim duhet të ketë një bazë.

 

“Prokuroritë dhe SPAK nuk kanë pengesë për të nisur hetime por edhe hetimet duhet të kenë një bazë, Kraja nuk ka dhënë përgjigje dhe për mendimin tim mirë është të hetohen pa i paragjykuar. Hetimi është pak delikat sepse menjëherë situata politizohet por SPAK do ta kalojë dhe këtë .Do të ketë gjithmonë presion ndaj SPAK por tani shteti shqiptar i ka krijuar të kësaj strukture mbrojtje fizike dhe paga të mira.”- përfundoi ish-Prokurori.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *