Subscribe

Policia e Durrësit ka goditur dy grupe kriminale që shisnin lëndë narkotike në zona të ndryshme të qytetit. Si pasojë e hetimeve 6 mujore, policia ka vënë në pranga 8 persona. Katër nga të arrestuarit shpërndanin drogëra të forta, në zonën e Sukthit, ndërsa 4 të tjerë në zona të tjera të qytetit të Durrësit.

 

Gjatë operacionit të koduar “Foremost”, u arrestuan 4 persona: Goni Muça (alias Gentjan Lici, Gentjan Muça, Gentjan Ferra), Tani Muça,- A. V., dhe  Amonali Halili.   Gjatë operacionit të koduar “Last deal”, u arrestuan 4 persona: Ergi Curri, Kristel Balla, Gentian Konesha dhe Stivens Bulku.

 

 

“Nga hetimet me metoda proaktive ka rezultuar se  shtetasi G. M. kishte rolin e furnitorit me lëndë narkotike kokainë, për këta shtetas, të cilët, pasi e blinin atë, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, e shpërndanin në zonën e Sukthit dhe të Durrësit, si dhe në lokalet e natës, në qytetin e Durrësit.

 

Gjithashtu, këta shtetas, për ndarjen e lëndës narkotike, kishin përshtatur ambiente të posaçme në lokalet e tyre, konkretisht në lokalin e shtetasit G. M., në zonën e Sukthit, dhe në lokalin e shtetastit E. C., në një lagje në Durrës”, njofton policia.

 

Ndërkohë, policia ka sekuestruar një pako me kokainë, dhjetëra doza kokaine, peshore elektronike, shuma parash të përfituara nga shitja e drogës dhe 2 automjete luksoze.

 

 

“Si rezultat i këtyre operacioneve u sekuestruan në cilësinë e provës materiale:

 

– 1 pako me kokainë, me peshë 130 gramë;

 

– 40 doza me lëndë narkotike të llojit kokainë;

 

– 3 automjete, 2 prej tyre luksoze;

 

– 96 mijë lekë të rinj dhe disa shuma në euro, franga dhe paund;

 

-3 peshore elektronike që shërbenin për peshimin dhe ndarjen e lëndës narkotike në doza të vogla, 1 dorezë hekuri dhe 14 aparate celulare”, thuhet në njoftim.

 

Tetë të arrestuarit akuzohen për veprat penale “Përshtatja e lokalit për përdorim droge”, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim, dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja e armëve të ftohta”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *