Nga Broja tek Muçi, e nga Ismajli tek Kumbulla, Hysaj apo Asllani. Më shumë se gjysma e kombëtares kuqezi është me valixhe në dorë sa i takon ekipeve të tyre në kampionate të ndryshme të Evropës. Sulmuesi jonë më i talentuar, Armando Broja mori një lajm të keq së fundmi, pasi nuk u mor në konsideratë nga trajneri i Chelsea, Mareska, për Botërorin e Klubeve që do të nisë pas pak ditësh në SHBA. Ai u la jashtë grupit të lojtarëve që u nisën për në këtë kompeticion të rëndësishëm. Kuptohet, është një zgjedhje logjike sepse Broja nuk ka qenë pjesë e skuadrës në sezonin e fundit, duke qenë se ishte në huazim te Everton. Mediat angleze shkruajnë se sulmuesi kuqezi duhet të gjejë një sistemim për sezonin e ri, ku janë në këmbë pista të ndryshme nga kampionate të ndryshme.
Ndryshe nga Broja, Kristjan Asllani ka fatin të luajë në Botërorin e Klubeve me Interin, por nuk ka ende garanci se çfarë do të ndodhë me të në sezonin e ri. Trajneri që e promovoi në bluzën zikaltër, Simone Inzagi, nuk është më, ndërsa i riu Kristjan Kivu duhet ende të sqarojë pozicionin e mesfushorit kuqezi, huazimi i të cilit në ndonjë skuadër tjetër italiane është opsion konkret.
Edhe Ernest Muçi me gjasë do ta gjejë veten në merkato gjatë kësaj vere. Aventura në Turqi te Beshiktash nuk ka shkuar sikurse ai do të donte pas transferimit nga Legia e Varshavës. Vetë lojtari pranoi se lëvizja nga Turqia është një opsion i mundshëm së afërmi.
Mirëpo nëse Muçi dëshiron të largohet nga Turqia, ai që mund të kalojë në këtë kampionat është Ardian Ismajli. Rënia e Empolit në Serinë B mund ta shtyjë Ismajlin që të pranojë ofertat e vazhdueshme që i vijnë nga Superliga turke, edhe për shkak të joshjes financiare.
Kumbulla, pas sezonit të shkëlqyer në La Liga me Espanjoll si i huazuar, kthehet te Roma, klub që ka kartonin e tij, për të kuptuar interesin që do të ketë trajneri i ri Gasperini. Duke mbetur në kryeqytet, edhe Elseid Hysaj duhet të sqarojë pozicionin e tij te Lacio. Në gjysmën e parë të sezonit të fundit, ai shihej i padëshiruar te Lacio, mirëpo rikthimi i trajnerit Sarri, me të cilin ka marrëdhënie të shkëlqyera, mund të ndryshojë dukshëm situatën.
Sa i takon kuqezinjve të tjerë, Mirlind Daku është drejt kalimit nga Rubin Kazan te një emër i madh si Zeniti, ndërsa për Berat Gjimshitin, mediat italiane raportojnë se mund të ketë interes konkret nga Igli Tare për ta marrë te Milan.
/vizionplus.tv





