Në Belgjikë po mbahet gjyqi ndaj një bande kriminale me 40 anëtarë, shumë prej të cilëve janë shqiptarë. Gjyqi i cili ka nisur këtë javë pritet të zgjasë një muaj.

Banda e cila është vënë para trupës gjykuese në Belgjikë është një bandë ndërkombëtare, e cila specializohet në fushën e trafikimit të lëndëve narkotike, armëve por edhe në prostitucion.

Media belge “La Mer” ka zbuluar detaje nga gjyqi. Në artikullin belg thuhet se në bandën kriminale janë përfshirë edhe zyrtarë shqiptarë. Nga dosje thuhet se operacioni kundër bandës ka nisur në 30 shtator 2020.

Në kuadër të operacionit autoritetet kanë gjetur një furgon, brenda të cilit kishte lëndë kimike që lidhen me përgatitjen e kokainës, vaj kanabisi dhe rrëshirë, bateri dhe uniforma false policie.

Gjithashtu hetuesit gjetën gjurmët e katër personave, përfshirë një të burgosuri në Barcelonë në lidhje me një rast me 441 kg kokainë. Ky person vazhdon të drejtojë trafikun nga qelia.

Gjatë vëzhgimeve të policisë, hetuesit zbuluan lëvizje të shpeshta në portet e Gentit dhe Antwerpen. Hetimi është pasuruar falë dekodimit të kriptofonave “Sky ECC”.

Në telefonin e Indrit K., një prej të pandehurve kryesorë, shihen foto të magazinave të kokainës, armëve, ekstazive, kartëmonedhave si dhe shënimet  e pagesave që duhen bërë në Amerikën Latine dhe dëshmi të transfertave nga Brazili dhe Bolivia në Francë, Belgjikë dhe Angli.

Hetimi është kryer në Evropë dhe kryesisht në Spanjë. Organizata kriminale ka degëzime globale. Ajo është aktive në trafikun e armëve, makinave dhe drogës, si dhe prostitucionit. Menaxherët i investojnë të ardhurat e tyre në pasuri të paluajtshme në Gjermani, Shqipëri, Itali dhe Spanjë, kryesisht në Mallorca.

Anëtarët e bandës përfshirë këtu edhe zyrtarë shqiptarë janë takuar në Antile për të diskutuar për ndërtimin e një kulle në Tiranë.

Hetuesit besojnë se ka pasur edhe një takim në Aruba (Antilet Hollandeze) gjatë të cilit është diskutuar investimi në një kullë në Tiranë (Shqipëri).

Pjesëmarrësit udhëtuan atje me avion privat. Zyrtarët shqiptarë thuhet se morën pjesë në këtë takim për të lehtësuar marrjen e lejeve të ndërtimit.

Kjo u mohua të hënën nga një i pandehur shqiptar Arben I., i cili pranon se ashtu si kushëriri i tij Artur S., ka lidhje shumë të larta në Tiranë.

Organizata transportonte kokainën nga Amerika e Jugut në Belgjikë nëpërmjet kanaleve të ndryshme: me anije peshkimi të cilat e linin kokainën në det ku ajo merret me jahte, me fluturime komerciale, me avionë privatë apo edhe në kontejnerë. Laboratorët e drogës janë zbuluar gjithashtu në Zutendaal, në Belgjikë dhe në Holandë./vizionplus.tv.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *