Gjykata Supreme e Brazilit rrëzon kërkesën e Ervin Matës për të mos u ekstraduar në Shqipëri

Gjykata Supreme e Brazilit ka refuzuar kërkesën e Ervin Matës për të mos u ekstraduar në Shqipëri.
“Siç përcaktohet në vendimin e deklaratës së embargos, ekzistenca e hetimeve ose procedurave penale në territorin kombëtar nuk përbën justifikim për refuzimin e kërkesës për ekstradim”, thuhet në vendimin e Gjykatës Supreme të Brazilit.


Avokatët e Matës kishin paraqitur një kërkesë me shkrim, ku kërkonin rrëzimin e kërkesës së drejtësisë shqiptare drejtuar asaj braziliane për ekstradimin e klientit të tyre.
Kujtojmë që Ervin Mata është arrestuar në Brazil në prill të këtij viti. Pas arrestimit të tij, pala shqiptare iu drejtua me një kërkesë zyrtare palës braziliane, ku kërkonte ekstradimin e tij.
Kush është Ervin Mata?
Ervin Mata është një personazh i njohur për drejtësinë shqiptare, i konsideruar si një nga baronët e drogës. Prokuroria e Posaçme ka arritur të dokumentojë me fakte përfshirjen e tij në katër episode ku janë trafikuar qindra kilogramë kokainë nga Amerika Latine, kryesisht nga Ekuadori dhe Brazili.
Lënda narkotike fillimisht zbarkonte në disa porte të Evropës dhe më pas shpërndahej në qytete të tjera evropiane dhe në Shqipëri. Sipas SPAK, paratë janë investuar kryesisht në Shqipëri në biznese dhe prona të shumta. Janë verifikuar pasuritë e familjarëve të tij dhe është bërë sekuestrimi i tyre.
Në këtë dosje është i përfshirë edhe nipi i tij, Realbi Breçani, djali i ish-drejtuesit të lartë të policisë, Erzen Breçani. Realbi Breçani u kap në Spanjë.
Ervin Mata është gjithashtu një personazh i njohur për “masakrën e Bllokut”, ku pati një përplasje mes tij dhe bosit të lojërave të fatit, tashmë të zhdukur, Ervis Martini. Ky konflikt nisi pasi Martini kishte ngacmuar të fejuarën e Matës në atë kohë, këngëtaren Elvana Gjata.
Përveç trafikimit të lëndëve narkotike, ndaj Ervin Matës rëndojnë disa akuza.
SPAK ka dokumentuar katër raste specifike:
Sekuestrimi i 446 kg kokainë në Holandë më 5 janar 2021, ku Mata dyshohet si organizator.
Sekuestrimi i 61 kg kokainë në Brazil më 18 shkurt 2021.
Sekuestrimi i 166 kg marihuanë në Spanjë, e nisur për në Gjermani.
Sekuestrimi i 250 kg kokainë të nisur nga Brazili për në aeroportin e Frankfurtit, Gjermani.
Këto episode janë dokumentuar në bashkëpunim me nëntë shtete evropiane. Gjithashtu, ka dyshime se grupi ku bën pjesë Ervin Mata është i përfshirë në porositjen e disa vrasjeve, ngjarje të cilat po hetohen ende nga SPAK./vizionplus.tv




