E mërkurë, 30 Shtator 2026 Trashëgimtari Halef deri në 19:00 Në vijim ora 19:00: Lajme Ora 19:00 dhe Moti Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Vendi

Gjykata e Elbasanit reagon pas arrestimit të avokatit Ulian Barjami: Nuk ishte vendim gjyqësor

Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan ka reaguar përmes një deklarate publike lidhur me arrestimin e avokatit Ulian Barjami, i ndaluar më 18 tetor 2025. Në qëndrimin e saj, gjykata shpreh keqardhje për shqetësimin e krijuar në opinionin publik dhe në komunitetin e avokatisë, duke theksuar se ndalimi nuk është kryer në ambientet e gjykatës dhe nuk ka qenë rezultat i ndonjë vendimmarrjeje gjyqësore.

Njoftimi i Gjykatës:

Reklamë

DEKLARATË PËR SHTYP
“Mbi ndalimin e avokatit pas procesit të zhvilluar në gjykatë”

Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan shpreh keqardhje për shqetësimin e krijuar në opinionin publik dhe në komunitetin e avokatisë, lidhur me ndalimin e avokatit Ulian Barjami, të kryer më datë 18.10.2025. Gjykata vlerëson rolin e pazëvendësueshëm të avokatit në procesin gjyqësor dhe është e angazhuar për të ruajtur marrëdhënie bashkëpunimi dhe respekti reciprok ndërmjet të gjithë aktorëve të drejtësisë.

Gjykata sqaron se ndalimi i avokatit nuk është kryer në mjediset e saj dhe nuk lidhet me ndonjë vendimmarrje gjyqësore. Prokuroria e ka vlerësuar këtë ndalim si të paligjshëm dhe gjykatës nuk i është paraqitur asnjë kërkesë për shqyrtim mbi këtë ngjarje.

Më datë 17.10.2025, u zhvillua seanca për vlerësimin e ligjshmërisë së arrestimit në flagrancë dhe caktimin e masave të sigurimit për 14 persona, ndër ta një i mitur. Avokati Ulian Barjami ishte i pranishëm si mbrojtës i të ndaluarit M. S. Seanca u zhvillua me dyer të mbyllura dhe zgjati mbi gjashtë orë; procesverbali audio-video i’u vu në dispozicion organit procedues pas kërkesës me shkrim të paraqitur nga ana e tyre. Duke qenë se seanca u zhvillua me dyer të mbyllura, gjykata nënvizon rëndësinë e informimit të kujdesshëm dhe korrekt për ruajtjen e privatësisë së të miturve dhe të drejtave të palëve. Theksojmë se publikimi i pjesshëm i një regjistrimi të gjatë nuk pasqyron domosdoshmërisht tërësinë e debatit procedural mes palëve.

Gjykata dënon parimisht çdo formë ndërhyrjeje, presioni apo intimidimi ndaj aktorëve të drejtësisë — gjyqtarë, prokurorë, avokatë dhe çdo subjekt tjetër procedural — dhe rithekson se avokatët janë partnerë të drejtësisë dhe mbrojtës të domosdoshëm të të drejtave të qytetarëve.

Në përputhje me standardet e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ), përfshirë çështjen Nikula kundër Finlandës, gjykata nënvizon se respekti ndaj lirisë së shprehjes së avokatit gjatë ushtrimit të funksioneve të tij është një element thelbësor i procesit të drejtë gjyqësor. Këto standarde janë udhërrëfyes për gjykatat shqiptare në ruajtjen e balancës midis autoritetit të gjykatës dhe të drejtës së mbrojtjes.

Gjykata garanton se çdo çështje, që paraqitet për shqyrtim do të vijojë të trajtohet me paanësi dhe në përputhje me ligjin; nxit komunikimin e matur dhe profesional të të gjithë pjesëmarrësve në proces; dhe fton median të informojë publikun me saktësi mbi zhvillimet procedurale, duke respektuar kufizimet ligjore për seancat me dyer të mbyllura dhe mbrojtjen e të miturve.

Gjykata do të vazhdojë të bashkëpunojë ngushtë me Dhomën Kombëtare të Avokatisë dhe institucionet e tjera të drejtësisë për të forcuar respektin e ndërsjellë, integritetin profesional dhe besimin e qytetarëve te drejtësia.

Duke ju falenderuar për vëmendjen tuaj

GJYKATA E SHKALLЁS SЁ PARЁ
E JURIDIKSIONIT TЁ PЁRGJITHSHЁM ELBASAN

Vazhdo të lexosh

Reklamë