Subscribe

Gjykata e Posaçme la në qeli ish-numrin dy të policisë, Erzen Breçanin, dhe tre personat e tjerë që u arrestuan të hënën në mbrëmje. Për burgosjen e tij, Breçani fajësoi të birin, Eralbin, i shpallur në kërkim ndërkombëtar për trafik kokaine, në një sasi që SPAK vlerëson se arrin në 515 kg.

 

ERZEN BREÇANI


“Nëse jam në burg, jam prej djalit. E kam këshilluar të mos merret me gjëra të paligjshme. Nuk e di ça ka bërë, nuk kam prova me ça merret im bir. Vetë i kam shërbyer këtij shteti ku kam vënë edhe jetën në rrezik.”

 

Breçani ka përmendur në seancë edhe disa nga aksionet që ka bërë si ish-polic dhe personazhe të botës së krimit që ka arrestuar.

 

Në dosjen e SPAK thuhet se Breçani dyshohet të ketë përkrahur dy autorë krimesh: Bujar Gërmizin dhe Nuredin Dumanin, duke iu dhënë informacione për t’iu shmangur arrestimit. Po ashtu, në bisedat telefonike përmendet edhe një episod i kalimit të një shume prej 500 mijë eurosh, që besohet se ai e ka investuar në biznese.

 

Ndërkohë, gjykata vendosi të lërë në burg pa afat edhe ish-shefin e krimeve në komisariatin nr.6 Dedan Gjoni, si dhe Bujar Gëmizi e Besmir Murtati.

 

Gjoni dyshohet se ka dhënë informacione për vendndodhjen e dy vëllezërve Albert e Edmond Nela, që ishin vënë në shënjestër për tu ekzekutuar nga Ismail Zeneli, i shpallur në kërkim.

 

Sipas SPAK Dedan Gjoni ka kërkuar informacione në sistemet kryesore të policisë ku kishte akses. Po ashtu një tjetër moment është edhe përdorimi i agjentes së Interpolit, Jonida Babameto, për të siguruar të dhëna të klasifikuara për bashkëpunëtorë në botën e krimit e personazhe të tjerë.

 

Ndaj saj gjykata ka vendosur masën “Detyrim paraqitje”, pasi dyshohet se ka kryer shpërdorim detyre.

 

Nga ky operacion u shpallën në kërkim edhe 6 persona të tjerë, Eralbi Breçani, Ervin Mata, Ismail Zeneli, Artan Sulejmani, Albert Prenga dhe Bajram Grabova. Në bashkëpunim ata janë vënë nën akuzë për vepra të rënda kriminale, nga trafikimi ndërkombëtar i drogës përmes grupit të strukturuar kriminal deri te sigurimi i kushteve për të kryer vrasje.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *