Ish-deputeti i PD, Enkelejd Alibeaj reagoi ashpër për konfirmimin në detyrë të zyrtarit të Policisë së Shtetit, Gjovalin Loka.

Në një deklaratë për mediat, Alibeaj tha se Loka duhet të ishte dëbuar nga radhët e policisë sepse ka qenë sigurims.

“Numri 2 i Policisë së Shtetit do të duhej të dëbohej nga Policia, së paku për arsyen se ligji i vetingut në polici, shkruan e bardha mbi të zezë, në nenin 38 pika “g” se qenia “anëtar i ish-sigurimit të shtetit” përbën kusht skualifikues.  Një fakt i tillë është i dokumentuar zyrtarisht nga Autoriteti i Dosjeve. Jo vetëm kaq! Numri 2 i Policisë së Shtetit do të duhej të dëbohej edhe për faktin, se e fshehu një fakt të tillë në formularët e vetëdeklarimit.  Neni 62 i ligjit të vetingut në polici përcakton, shprehimisht, se mospasqyrimi i të dhënave përbën në vetvete shkak për shkarkim nga detyra.”

Alibeaj akuzoi edhe kreun e Policisë së Shtetit, Ardi Veliu se ka mashtruar kur i është kërkuar informacion për prezencën e ish-sigurmsave në institucion.

Sipas demokratit, Veliu mbrojti zëvendësin e tij, Gjovalin Loka, duke mos dhënë informacion për të. Për këtë ai nxorri edhe një dokument.

“Ky është dokumenti, në të cilin Drejtori i Përgjithshem ka guxuar të mashtrojë dhe të mohojë me shkresë zyrtare ekzistencën e ish sigurimsave në Policinë e Shtetit, kur zëvendëzi i tij, Gjovalin Loka jo vetëm ka ka kryer Shkollën e Sigurimit, por edhe ka punuar operativ i Sigurimit të Shtetit të diktaturës komuniste.”

Enkelejd Alibeaj tha se kjo është prova që qeveria po tallet me ligjin e vetingut në polici.

“Tallja me ligjin, kompromentimi kriminal i Policisë së Shtetit duke ringjallur jo vetëm në metoda, por edhe në personel njerëzor ish-Sigurimin e Shtetit është një këmbanë alarmi se projekti politik i Edi Ramës nuk ka lidhje me demokracinë dhe shtetin ligjor.”

Demokrati u shpreh i bindur se qytetarët do të reflektojnë dhe do të rrëzojnë me votë këtë qeveri.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *