Subscribe

Apeli i Posaçëm rrëzoi kërkesën e dhëndrit të ish- kryeministrit , Jamarbër Malltezi për heqjen e sekuestros preventive të 25 pasurive të tij.

 

Më herët SPAK kishte kërkuar përjashtimin e gjyqtares Iliriana Olldashi nga shqyrtimi i kësaj çështjeje pasi prokurorët e çështjes pretendojnë se ka konflikt interesi pasi rezulton se Olldashi ka blerë një apartament në kompleksin e pallateve të ndërtuara nga kompania ku ishte pjesë edhe Malltezi. Mirëpo kërkesa e prokurorisë së posaçme u rrëzua.

 

Pas arrestimit të Jamarbër Malltezit më 21 tetor, SPAK kërkoi edhe bllokimin e 25 pasurive të tij, ndër to apartamente, një vile, 6 llogari bankare dhe aksione në një kompani.

 

Këtë të premte  SPAK depozitoi në Gjykatë një tjetër kërkesë për përjashtimin e Ilirjana Olldashit edhe nga shqyrtimi për shuarjen e masës së sigurisë  ndaj Malltezit “arrest shtëpie, si dhe masën “Detyrim Paraqitje” e bllokim pasaporte ndaj ish- kryeministrit, Sali Berisha, kërkesë e cila u rrëzua gjithashtu nga Apeli i Posaçëm.

 

Ndërkohë, edhe me vendim të Apelit Berisha është i detyruar të paraqitet në SPAK, e po njëlloj nuk duhet të lërë kufirin e Shqipërisë, pasi pasaporta e tij është e bllokuar.

 

Ish- kryeministri Sali Berisha akuzohet nga Prokuroria e Posaçme për korrupsion të funksionarëve të lartë, pasi sipas organit të akuzës ka nxjerrë akte nënligjore që dhëndri i tij të përfitojë në privatizimin e ish- kompleksit sportiv, “Partizani”. Ndërsa dhëndri i tij, veç korrupsionit dyshohet se ka kryer pastrim parash.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *