Gjykata e Posaçme ka vendosur që çështja e deputetit demokrat Asllan Dogjani, i akuzuar për fshehje dhe mosdeklarim pasurie, t’i kthehet për hetim SPAK-ut. GJKKO i ka dhënë afat dy muaj SPAK për përfundimin e hetimeve. Pas seancës, Dogjani ka deklaruar se “triumfoi drejtësia.”
Sipas SPAK, Dogjani ka bërë një deklarim të rremë për përfitimin e një apartamenti. Më 24 mars 2010, ai ka deklaruar pranë ILDKPKI se kishte përfituar një apartament banimi me sipërfaqe 128.4 m2 në Tiranë, në rrugën “Hamid Shijaku”, nga shoqëria e ndërtimit “Protial”, në këmbim të konsulencave juridike që kishte ofruar dhe do të ofronte. Për këtë, ai ka paraqitur kontratën, të cilën e ka përmendur edhe në deklaratën e tij më 16 qershor 2023, pas zgjedhjes si deputet.
Megjithatë, hetimet e SPAK treguan se Dogjani është bërë pronar i apartamentit, i cili kishte një vlerë prej 121,980 euro dhe ishte paguar në cash. Prokuroria e Posaçme ka zbuluar se kontrata e datës 6 dhjetor 2006, që përshkruante mënyrën e përfitimit të apartamentit, është identike me atë të datës 6 shtator 2006, por me ndryshime në mënyrën e përfitimit, duke sugjeruar se kontrata ishte hartuar në mënyrë fiktive për të fshehur burimin e pasurisë.
/vizionplus.tv





