Duke filluar nga kjo e hënë, brenda 15 ditëve çdo objekt i paligjshëm nga rruga do të hiqet. Ka qenë ky ultimatumi i dhënë nga ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri, gjatë një inspektimi në zonën e Shkozetit. Sipas Gjiknurit ky aksion ka si qëllim pastrimin e nyjeve dhe hapësirave në akset kryesore kombëtare.

 

Keni vetëm 15 ditë kohë që të bëni në mënyrë vullnetare çmontimin e çdo aktiviteti civil/ekonomik pa leje, heqjen e çdo tabele që nuk ka lidhje me sinjalistikën rrugore por e pengon atë. Në përfundim të këtij afati, strukturat përkatëse do të ndërhyjnë në të gjithë akset kombëtare. Nuk do të ketë asnjë tolerancë. Në përfundim të të gjitha fazave të operacionit, hyrje-daljet e akseve kombëtare, nyjet dhe hapësirat do të pastrohen plotësisht”.


Sipas Gjikunurit tabelat që do të hiqen nuk kanë lidhje me sinjalistikën rrugore, ndërsa nuk janë të pakta rastet ku këto tabela janë bërë burim aksidentesh

 

 “Bazuar mbi hartat, listën e pikave të zeza të evidentuara nga Autoriteti Rrugor Shqiptar si dhe verifikimet në terren, jemi duke analizuar të gjitha pikat për ndërhyrje, duke klasifikuar ato sipas riskut.  Për shkak edhe të ekzistencës së problematikave të trashëguara e të pazgjidhura, që lidhen edhe me çështjet e pronësise, operacioni do të zhvillohet në disa faza. Si fazë e parë, do të fillohet me ndërhyrjen në rastet ku ka nevojë vetëm për pastrim dhe nuk ka implikime pronësore. Paralelisht do bëhet identifikimi, fotografimi dhe verifikimi i situatës së pronësisë lidhur me hapësirat dhe nyjet e rrjetit në akset kryesore rrugore.  Në një fazë të mëvonshme do të kalohet në ndërhyrjen e sistemuar sipas projekteve specifike aty ku ka nevojë për shpronësim, pastrim, sistemim dhe gjelbërim.

 

Ministri u ka bërë thirrje qytetarëve që t’i mbështesin në këtë operacion, i cili ka për objektiv rritjen e sigurisë së jetës se gjithsecilit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *