Nga data 31 gusht deri në 2 shtator Gjermania nuk do të furnizohet dot me gaz nga gjigandi energjetik rus “Gazprom”.

 

Sipas njoftimit zyrtar, rubinetet e gazsjellësit “Nord Stream 1” do të mbyllen serish për mirëmbajtje rutinë sepse një turbinë ka nevojë për t’u zëvendësuar. Pas riparimeve, furnizimet do të rikthehen, por në masën 20% të kapacitetit aktual të tubacionit.

 

“Gazprom” pretendon se për shkak të sanksioneve perëndimore ndaj Rusisë, riparimet janë ngadalësuar dhe rrjedhat e gazit janë reduktuar deri në 60%.

 

Pas vendimit për të ndërpresë sërish furnizimet me gaz, Berlini e akuzoi gjigandin energjetik rus se po bën politikë në emër të Moskës. Sipas palës gjermane, kjo nuk është gjë tjetër veçse një strategji e Rusisë për të krijuar shqetësim dhe për të rritur çmimet.

 

Mbyllja e përkohshme e tubacionit të gazit për Gjermaninë pritet të sjellë më shumë pasiguri për furnizimet dhe çmimet në Evropë, ndërsa vendet janë në krizë energjetike.

 

Shumë shtete evropiane po përgatiten për mungesa të mundshme të energjisë këtë dimër, por Gjermania është ajo që e ndjen më shumë pasigurinë pasi më shumë se gjysma e importeve të gazit për të vinin nga Rusia, deri para luftës në Ukrainë.

 

Prej kësaj situate, shteti gjerman u detyrua të rindezë fabrikat e qymyrit dhe po kërkon burime alternative të gazit natyror.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *