Ministrat e jashtëm të BE-së janë mbledhur në Bruksel për çështjen e Iranit. Para takimit, përfaqësuesja e lartë e unionit, Kaja Kallas, u shpreh se ka shumë gjasa që BE ta përfshijë Gardën Revolucionare Islamike të Iranit në listën e organizatave terroriste.
“Po vendosim sanksione të reja ndaj Iranit dhe gjithashtu pres që të vendoset Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike në listën e organizatave terroriste. Nëse sillesh si terrorist, duhet të trajtohesh si terrorist.”
Ajo shtoi se ky hap e vendos Gardën Revolucionare në të njëjtin nivel me grupet xhihadiste si Al-Kaeda dhe Shteti Islamik.
“Vlerësimi është se kanalet diplomatike do të mbeten të hapura edhe pasi Garda Revolucionare të përfshihet në listë.”
Ky veprim nga BE-ja do t’i dërgonte një mesazh të fortë dënimi Iranit, pasi mijëra njerëz raportohet se janë vrarë gjatë protestave që tronditën vendin.
Blloku pritet gjithashtu të vendosë kufizime vizash dhe të ngrijë asetet e 21 entiteteve dhe zyrtarëve shtetërorë iranianë, përfshirë ministrin e Brendshëm të vendit, për shkak të shtypjes vdekjeprurëse të demonstratave.
Të mërkurën, Presidenti amerikan, Donald Trump, paralajmëroi Iranin që të bëjë një marrëveshje për t’i dhënë fund ambicieve bërthamore; në të kundërt, do të pësojë një sulm më të keq se ai i goditjes së centraleve atomike në qershor të vitit 2025.
/vizionplus.tv





