Për herë të parë në historinë e zgjedhjeve në Shqipëri, në sheshet e qyteteve përgjatë fushatës zyrtare elektorale për parlamentaret e 25 Prillit, nuk do të mbahen mitingje. Sido që të jetë ecuria e pandemisë çdo takim i Partisë Socialiste me elektoratin do të zhvillohet virtualisht.
“Edhe kur të hyjmë në ditët e fushatës zyrtare, fushatën klasike nuk do ta kemi. Nuk do të kemi mitingje, sheshe të mbushura plot, muzikë e flamuj. Takimet do të jeni siç po i bëjmë tani, do t’i japim rëndësi takimeve online.”
Edhe pse në filozofinë e socialistëve takimi ballë për ballë me qytetarët përbën një nga armët më të rëndësishme të fushatës elektorale në funksion të marrjes të sa më shumë votave, duket se qasja e re, ajo të komunikuarit në distancë është po aq e favorshme.
“Në takimet online, ti ke mundësi të takosh shumë njerëz dhe të bashkëbisedosh me shumë njerëz, duke mbajtur distancën dhe masat. Një i sëmur më pak është më shumë sesa një votë më shumë.”
Besimplotë se Partisë Socialiste elektorati do t’i besojë një mandat të tretë qeverisës, largimet e anëtarëve, kryesisht të Lëvizjes Socialiste për Integrim drejt PS-së, Arben Pëllumbi i sheh:
“Votuesit, më shumë se idealizmin, shohin se ku e gjejnë me mirë veten e tyre, ku interesat e tyre të jetës së përditshme gjejnë mishërim. PS ka shtuar numrin e vetë në dy muajt e fundit me rreth 4 mijë anëtarë të rinj, por jo të gjithë këta vijnë nga LSI.”
Kur afatet për dy vendimmarrje të rëndësishme vota e emigranteve dhe pilotimi i votimit dhe numërimit elektronik po ngushtohen, mazhoranca i kërkon KQZ-së të mos presë dakordësinë e palëve politike, por të zbatojë atë që është e parashikuar në Kodin Zgjedhor.
“Nuk është dëshira e partive poliiktke, është detyrim ligjor, i cili duhet të zbatohet. KQZ duhet të bëjë pilotimin e votimit elektronike. KQZ duhet të bëjë të gjithë hapat e nevojshëm që të bëjë të mundur votën e emigrantëve; është detyrim ligjor që emigrantët të japin kontributin e tyre.”