Një ditë më parë kryeministri Edi Rama hodhi poshtë akuzat e opozitës për fshehjen e numrit të viktimave të pandemisë. Por, Partia Demokratike beson se qeveria nuk po thotë të vërtetën dhe kërkon hetime nga prokuroria.

Drejtuesi i Departamentit të Shëndetësisë në PD, Gazment Koduzi u shpreh në edicionin e lajmeve në “Vizion Plus” se Rama miratoi në mënyrë indirekte deklaratën e bërë nga Basha.

“E ndoqa me interes reagimin e Ramës. Dje kishte vetëm fjalë, asnjë shifër. Basha të enjten tregoi disa shifra që kanë ardhur nga morgu i QSUT.  Rama foli 17 minuta dhe nuk tha asgjë. Përderisa nuk dha asnjë argument kundër, aprovoi në mënyrë të tërthortë ata që zoti Basha përmendi të enjten. Kemi dy mënyra të diagnostikimit, nëpërmjet tamponit, në mënyrë klinike dhe  përmes analizave biokimike. Njerëzit duhet të dinë diçka të rëndësishmë: individi që shkon në spitalet COVID, është me COVID. Çdo qytetar që ka probleme me mushkëritë nuk trajtohet në Sauk. Ai tashmë është spital COVID, nuk hyn asnjë pacient tjetër që nuk është infektuar me Covid. Në morgun e Tiranës shkojnë pacientë nga të gjitha spitalet që përbëjnë QSUT. Të dhënat që përcolli Basha tregojnë për individë që kanë humbur jetën në spitalet COVID, jo nga spitalet e tjera.”

Reagimeve mohuese të socialistëve lidhur me ezaurimin e kapaciteteve spitalore, Koduzi iu përgjigj duke cituar mjekun Dritan Kociaj, i cili ngriti shqetësimin se pacientët me COVID po trajtohen në autoambulanca jashtë spitalit “Shefqet Ndroqi”, pasi nuk ka vende.

“Pacientët që kanë nevojë për trajtim të specializuar qëndrojnë në ambulanca vetëm me oksigjen. Këto ambulanca qëndrojnë të bllokuara dhe nuk kanë mundësi t’u ofrojnë të tjerëve që kanë nevojë për këtë shërbim.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *