Është rrëzuar qeveria e kryeministrit francez François Bayrou, i cili ka humbur votëbesimin të cilin e kërkoi në Asamblenë Kombëtare.
Deputetët votuan me 364 vota në favor të largimit të ekzekutivit, kundrejt 194 votave që mbështetën qeverinë, duke i dhënë fund mandatit të Bayrou-t dhe duke shkaktuar një krizë të re politike në Francë, sipas raportimit të BBC.

Kjo humbje përbën një tronditje të madhe për kampin politik të Presidentit Emmanuel Macron, i cili tani përballet me sfida serioze për të rindërtuar një shumicë parlamentare ose për të shmangur mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.
Më herët, Bayrou kishte theksuar se “rreziku më i madh është të mos marrësh asnjë rrezik”, duke e cilësuar votën si një moment vendimtar për të ardhmen politike dhe institucionale të vendit. Megjithatë, rezultati i votimit dëshmoi se ai nuk kishte siguruar mbështetjen e nevojshme për planin e tij reformues dhe për stilin e tij të drejtimit të qeverisë.





