Policia britanike kërkon ndihmën e qytetarëve për të identifikuar një burrë i cili ka ndërruar jetë rreth një muaj më parë në Londër.

BBC ka publikuar imazhin e përpunuar të policisë, ku ju bën thirrje qytetarëve që të japin kontributin e tyre për të ndihmuar në identifikimin e personit që ka ndërruar jetë.

BBC raporton gjithashtu se burri u gjet në gjendje të rëndë në Sixth Avenue, Queen’s Park në orën 02:40 të 6 tetorit 2023. Ai u dërgua menjëherë në spital, ku pavarësisht kujdesit të mjekëve ndërroi jetë 10 ditë më pas.

Gjithashtu dyshohet se viktima është shqiptar, prandaj i është bërë apel edhe komunitetit shqiptar që jeton në Angli që të japin ndihmën e tyre për identifikimin e personit.

Policia thotë se vdekja e tij nuk po trajtohet si e dyshimtë dhe kanë lëshuar një imazh të përpunuar me shpresën se familja e tij do të paraqitet.

Ndërkohë në foton e mësipërme është bërë publik edhe imazhin i një tatuzhi që ndodhet në krahun e tij, me shpresën që dikush ta ketë të njohur si pamje dhe të mund të identifikojë viktimën.

“Ne kemi bërë disa kontrolle për të bërë identifikimin e tij, duke përfshirë edhe kontrolle të përshkrimeve të njerëzve që kanë humbur në këtë zonë, por sërish nuk kemi mundur ta gjejmë se kush është ai. Po punojmë me mjekët ligjor për të identifikuar të afërmit e tij dhe po përcjellim imazhin e një tatuazhi që personi kishte në bicepsin e majtë, me shpresën dikush do ta njohi dhe do të vijë”, ka thënë një zyrtar i policisë britanike.

Policia thotë se ai ishte veshur vetëm me pantallona dhe me vete nuk kishte asnjë send apo mjet identifikimi. Në pamje, policia thotë se ai duket teksa flet me vete në një gjuhë të huaj, për të cilën mendohet se është shqiptar. Ai përshkruhet si i bardhë, në të 40-at dhe me trup të hollë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *