Për herë të parë, investitorë të mëdhenj në botë, liderë biznesi si dhe drejtues shtetesh u bënë bashkë në Forumin Ekonomik Ndërkombëtar që u zhvillua në Tiranë, “Iniciativa e Investimeve të së Ardhmes”.
Ky forum përkon me takimin e Komunitetit Politik të Europës. Pjesëmarrësit në samit e vunë theksin te bashkëpunimi i kontinentit europian, për të përballuar sfidat ekonomike dhe tensionet gjeopolitike.
Presidenti i Francës, Emanuel Macron, gjatë fjalës së tij përshëndetëse, i bëri thirrje bizneseve të investojnë në Shqipëri, pasi do të gjejnë një lidership të fortë.
“Këtu në Shqipëri keni në fakt pikën hyrëse në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe më gjerë, pikë kyçe në Mesdhe dhe Evropë, ndaj ju inkurajoj të investoni në Shqipëri sepse keni udhëheqje të fortë. Nuk flas vetëm se është miku im, por sepse ka sjellë rezultate. Në dy vitet që vijnë, duke qenë se ka mandat të qartë, do të jenë pjesë e BE-së. Të jeni të sigurt që ne si Evropë do të japim rezultate. Tani që kemi linjëzim të fortë mes Francës dhe Gjermanisë, do të bëjmë maksimumin që të realizojmë agjendën që folëm. Ju lutem, investoni në Evropë, besojini Evropës, sepse kemi nevojë për besimin e investimet tuaja që të realizojmë agjendën kaq ambicioze, sepse është e duhura jo vetëm për evropianët por edhe për rajonet e tjera për të krijuar stabilitet”, tha Macron.
Presidenti Macron theksoi nevojën e një strategjie të qartë konkurruese për tre sektorë kyç: në telekomunikacion, energji dhe financë.
Ndërsa kreu i qeverisë, Edi Rama, iu drejtua të pranishmëve duke thënë se Shqipëria ka nevojë për njerëz që e besojnë.
“Jemi këtu për të përcjellë mesazhin se ky vend do më shumë dhe ka nevojë për më shumë njerëz që të na besojnë. E mira e Shqipërisë është se ne jemi miq të mirë me shumë njerëz. Ne duam që miqtë e të ftuarit të thonë që ne jemi partnerë strategjikë të BE-së e Europës, por ne kemi partneritet edhe me Arabinë Saudite dhe kemi ndjekur vizionin, shtysën, ambicien e Madhërisë së tij, Presidentit të Emirateve të Bashkuara. Po përpiqemi të mësojmë nga realitete të ndryshme”, tha Rama.
Të pranishmit në këtë forum e vunë theksin te brishtësia dhe fragmentimi që po drejton globalisht, duke nxitur pasiguri dhe inflacion.
Samite të tilla janë të rëndësishme, pasi bizneset, investitorët apo shtetet mes tyre mund të lidhin marrëveshje ekonomike në sektorë të ndryshëm të ekonomisë, në funksion të të mirës së përbashkët europiane.
/vizionplus.tv