Pasi kanë kaluar festat e fundvitit në vendlindje, emigrantët po kthehen drejt vendeve të tyre të punës. Mbrëmjen e se dielës nga porti i Durrësit janë nisur 5 tragete me rreth 7000 pasagjerë dhe 1200 automjete. Pavarësisht numrit të lartë të pasagjerëve në dalje nga porti i Durrësit, nuk ka pasur probleme. Fluksi i ikjes së emigrantëve drejt vendeve të tyre të punës, pritet të zgjasë edhe disa ditë. Policia kufitare në bashkëpunim me autoritetin portual dhe degën e doganës, kanë marrë masa për të realizuar përpunimin e pasagjerëve në një kohë sa më të shpejtë, duke vënë në punë të gjithë sportelet.