196 mjete të markës “Ford” do t’i bashkohen flotës së Policisë së Shtetit.

Pasditen e kësaj të hëne u organizua një ceremoni prezantimi në sheshin “Nënë Tereza”, ku të pranishëm ishin kryeministri Edi Rama, ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, ambasadori i BE, Luigi Soreca dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu.

Ky projekt i përbashkët mes qeverisë dhe BE u vlerësua nga Rama. Ai tha se investimi do të vijojë më tej, pasi gjendja në Policinë e Shtetit ka qenë e mjerë.

“Ne po e transformojmë rrënjësisht Policinë dhe vendin. Disa vite më parë ishte e paimagjinueshme. Policia e shteti ishte në gjendje të mjerë. Flota motorike e Policisë ishte qesharake. Sot ne ju japim të gjithë punonjësve fuqi motorike. Një flotë të tërë mjetesh që do të mundësojnë kushte optimale për operacione speciale dhe të rrezikshme. Nuk mbaron këtu. Ne duam të shkojmë më tutje. Duam të rrisim kapacitetet teknologjike e dixhitale. Mjete më të sofistikuara, drona të fjalës së fundit.”

Fuoristradat Land Rover janë për Policinë Kriminale, ndërsa mikrobuzët dhe furgonët janë për Policinë e Rendit. Sipas ministrit Lleshaj, rreth 2 mijë punonjës policie pajisen me mjete me gjithë këtë flotë. Falë këtij investimi, Forcat RENEA, Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë do të rinovojnë flotën me mjete “Ford”.

40 janë fuoristrada të bardha që do t’u jepen drejtorive. E veçanta është se mjetet janë të pajisura me zgarat mbrojtëse për të mos u penguar nga gurët, pjesën e poshtme e kanë me fije çeliku për të mos dëmtuar pjesën e motorit, ndërsa në pjesët e brendshme kanë një armaturë special për të mbajtur armët e zjarrit, ndryshe nga herët e tjera.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *