E diel, 11 Tetor 2026 Trazira në Parajsë deri në 05:45 Në vijim ora 05:45: Takohemi N'vizion Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Vendi

Festohet sot Fitër Bajrami, besimtarët thirrje për përkushtim ndaj familjes dhe më shumë paqe në shoqëri

Falja e namazit në Fier

Besimtarët myslimanë në të gjithë vendin kanë festuar sot Fitër Bajrami, një nga festat më të rëndësishme të fesë islame, duke përmbyllur një muaj sakrifice, lutjesh dhe përkushtimi gjatë Ramazani.

Që në orët e para të mëngjesit, qindra e mijëra besimtarë iu drejtuan xhamive dhe shesheve kryesore në qytete të ndryshme të vendit për të falur namazin e Bajramit, në një atmosferë paqeje, solidariteti dhe bashkimi.

Reklamë

Në Korçë, besimtarët u mblodhën në xhaminë “Iljas Bej Mirahori”, ku myftiu Ledian Cikalleshi theksoi rëndësinë e përkushtimit ndaj familjes dhe mbështetjes për njerëzit në nevojë. Ai nënvizoi se dashuria dhe kujdesi ndaj njëri-tjetrit janë shprehje e drejtpërdrejtë e besimit dhe lidhjes me Zotin, duke uruar më shumë paqe dhe qetësi shpirtërore për të gjithë.

Atmosferë e ngjashme u regjistrua edhe në Elbasan, ku mijëra besimtarë u mblodhën në sheshin “Gensher”. Myftiu Agim Duka përcolli mesazhe besimi, faljeje dhe solidariteti, duke bërë thirrje për më shumë dashuri, mirëkuptim dhe unitet në shoqëri. Pas faljes, qytetarët shkëmbyen urimet tradicionale, duke e kthyer ditën në një festë gëzimi për të gjithë.

Reklamë

Në Vlorë, qindra besimtarë falën namazin në ambientet e Pallatit të Sportit. Myftiu Ardit Hoxhllaku theksoi rëndësinë e kujdesit për familjen dhe ndihmës ndaj shtresave në nevojë, duke uruar paqe dhe harmoni për të gjithë besimtarët. Falja u zhvillua edhe në xhamitë e tjera të rrethit.

Edhe në Pogradec, besimtarët iu drejtuan xhamive për të kryer ritin e faljes, ndërsa në ligjëratën e tij imami Dritan Shaho u ndal te rëndësia e familjes, rinisë dhe të ardhmes, si dhe nevoja për të mos braktisur vendin.

Ndërkohë, në Fier, besimtarët u mblodhën në sheshin qendror të qytetit, ku ceremonia e faljes nisi në orën 06:30. Myftiu Mikel Hazizolli uroi besimtarët dhe i ftoi të kontribuojnë për një shoqëri më të drejtë, më paqësore dhe më solidare.

Në të gjitha qytetet, mesazhet kryesore të kësaj dite mbetën paqja, dashuria dhe solidariteti, duke e kthyer Fitër Bajramin në një moment reflektimi dhe bashkimi për të gjithë besimtarët.

Vazhdo të lexosh

Reklamë