Festivali MARE MEUM sjell në Vlorë Korin e Filarmonisë së Kosovës. Concord Investment mbështet eventin e artistëve nga Kosova

Dita e Shenjtërimit të Nënë Terezës solli në Vlorë për të performuar Korin e Filharmonisë së Kosovës, nën drejtimin e dirigjentit të mirënjohur Prof. Rafet Rudi dhe me Drejtor Artistik Maestro Aulon Naçi.

Me një program të larmishëm artistik në skenën e Teatrit “Petro Marko” në Vlorë, u ngjitën artistët e Korit Kosovar në kuadër të Festivalit “MARE MEUM”, i mbështetur nga ana e Grupit Concord Investment.
E ftuar speciale në këtë koncert ishte edhe violinistja e mirënjohur kosovare, Sihana Badivuku, e cila së bashku me Korin interpretoi veprën “Concerto Fantasy” kompozuar nga Prof. Rafet Rudi.

Publiku i qytetit të Vlorës duartrokiti ngrohtësisht performancën e jashtëzakonshme, si një vlerësim për përkushtimin dhe profesionalizmin e lartë të artistëve të Korit të Filharmonisë së Kosovës.
Festivali “MARE MEUM” mbylli siparin pas organizimit të shkëlqyer të 4 koncerteve në Vlorë, duke përcjellë tek publiku i gjerë shqiptar dhe ai i huaj kënaqësinë që përcjellë muzika klasike. Një prej etapave të këtij rrugëtimi plot sukses në këtë edicion të këtij Festivali ishte Marina Orikum ku performoi një kuartet artistesh virtuoze të Teatrit “La Scala” të Milanos.

Nën drejtimin artistik të Maestro Aulon Naçi, me mbështetjen e Bashkisë Vlorë, Konsullatës Italiane në Vlorë, Institutit Italian të Kulturës, kësaj iniciative artistike iu bashkangjit edhe Grupi “Concord Investment”, duke përcjellë kështu vizionin për të qenë pjesë e ngjarjeve artistike të mëdha që organizohen në vendin tonë.

/vizionplus.tv




