Pas 20 vitesh kultivim të vreshtave të rrushit, fermeri Pajtim Lamaj nga fshati Mbërs i bashkisë Rroskovec ka vendosur asgjesimin e hardhive për t’i zëvendësuar ato me ullishte.
Lamaj tregon se ka qënë fermeri i parë që ka mbjellë vreshta në këtë zonë dhe në sipërfaqen prej tre hektarësh ka arritur të marrë deri në 300 kv. Po sipas tij ky është viti i parë me prodhim zero, dhe shkak për këtë situatë ka qënë moti i pafavorshëm që ka shkaktuar shumë sëmundje të hardhive, cilësia e dobët e pesticideve dhe mungesa e ndihmës nga shteti.
PAJTIM LAMAJ
FERMER
“Unë kam patur 3 ha vreshta por siç e shikoni po e prish. Si unë ka edhe të tjerë që po e ndërrojnë kulturën. Plehrat janë shumë të shtrenjta, pesticidet nuk bëjnë fare. Unë kam arritur deri në 300 kuintal rrush, këtë vit jam me zero. Do e shkatërroj dhe do ta mbjell ullinj ose do ta le kullotë. Nuk kemi zgjidhje tjetër.”
Lamaj tregon gjithashtu se të gjithë kultivuesit e vreshtave po i braktisin sipërfaqet e mbjella me rrush pasi ky vit i çoi në faliment të plotë. Dëmi financiar për fermerin Lamaj arrin në 15 milionë lekë të vjetra duke e cuar në një situatë tepër të vështirë ekonomike e madje kjo situatë ka bërë që të mendojë edhe largimin nga vendi në moshën 64- vjecare.
“Është e vështirë të marrësh këtë vendim por jam në jë situatë pa zgjidhje, nmuk kam ç’të bëj.”
Për kultivuesin Lamaj, jo vetëm prodhimi zero këtë vit është problem madhor për ta, por edhe sasia e madhe e rakisë që u ka mbetur stok në banesat e tyre për shkak të mungesës së tregut.