Facebook nuk do te kufizojë mundësinë që reklamat politike t’iu drejtohen grupimeve të caktuara.

Kompania vendosi të mos kufizojë mundësinë që reklamat politike t’iu drejtohen grupimeve të caktuara. Rivalja kryesore e saj në fushën e reklamave dixhitale, kompania Google, vendosi në nëntor të luftojë keqinformimin. Asnjëra prej këtyre kompanive nuk do të ndalojë reklamat politike, siç veproi kompania Tëitter në muajin tetor. Facebook gjithashtu nuk do të kontrollojë faktet e paraqitura në këto reklama, megjithëse është përballur me presion për këtë çështje.

Megjithatë, kompania njoftoi se do të ketë mekanizma më transparentë që synojnë t’u japin më shumë kontroll përdoruesve për sasinë e reklamave politike që do të shohin dhe do ta bëjë më të lehtë “shfletimin” e katalogut të saj online të reklamave politike.

Këto masa nuk duket se do të qetësojnë kritikët, që gjenden madje edhe në radhët e vetë punonjësve të kompanisë Facebook, të cilët shprehen se Facebook-u ka pushtet të tepruar dhe kufizime jo të mjaftueshme për ndikimin që ka ndaj zgjedhjeve dhe vetë demokracisë.

Facebook ka këmbëngulur se nuk do të verifikojë faktet e paraqitura nga reklamat politike. Kritikët thonë se kjo u jep liçensën politikanëve të gënjejnë në reklama që nuk mund të monitorohen lehtë nga shikuesit. Drejtori i kompanisë, Mark Zuckerberg, ka thënë vazhdimisht se “liria e fjalës politike është e rëndësishme” dhe se Facebook nuk dëshiron të ndërhyjë në të.

Burimi: Associated Press

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *