Evropa ndodhet nën presion për t’u bashkuar me Shtetet e Bashkuara dhe Britaninë në ndalimin e importeve ruse të naftës dhe gazit natyror. Kjo do t’i jepte një goditje të fortë ekonomike Rusisë, por pasojat e një vendimi të tillë mund të ndjehen edhe në vetë Evropën.

 

Bashkimi Evropian, i përbërë nga 27 vende, përballet me shumë më tepër pasoja ekonomike nga lufta në Ukrainë dhe sanksionet ndaj Rusisë se sa Shtetet e Bashkuara, veçanërisht kur bëhet fjalë për naftën dhe gazin natyror.

 

Ndërsa ndalimi nga Shtetet e Bashkuara dhe Britania i importeve të naftës dhe gazit natyror rus po shton presionin ndaj Evropës për të marrë të njëjtin vendim, varësia e saj nga sektori rus i energjisë e bën vendosjen e një embargoje të menjëhershme shumë më të vështirë. Megjithatë, disa zyrtarë thonë se kjo është mënyra e vetme për të ndalur derdhjen e miliarda dollarëve nga shitja e naftës dhe gazit natyror në arkat e Presidentit Vladimir Putin.

 

Evropa importon rreth 40% të gazit të saj natyror dhe 25% të naftës nga Rusia, ndërsa Shtetet e Bashkuara importojnë sasi të vogël të naftës, por jo gaz natyror. Ndalimi i importeve të naftës dhe gazit rus nga Bashkimi Evropian do të shkaktonte rritje drastike të çmimeve të karburantit dhe ngrohjes që mund të shkaktojë një krizë energjetike dhe recesion ndërkohë që ekonomia është ende duke u rimëkëmbur nga pandemia e koronavirusit.

 

Ndalimi do të shkaktonte rritjen e çmimeve të shumë artikujve, përfshirë atyre të ushqimit dhe energjisë elektrike që tashmë janë të larta, pjesërisht për shkak të rritjes së çmimit të gazit natyror në Evropë. Qeveritë kanë lëshuar subvencione për të kompensuar njerëzit për faturat e larta të energjisë elektrike, ndërsa çmimi i benzinës është rritur në mbi 2.01 euro për litër.

 

Këto kosto tashmë po ndikojnë në shpenzimet e konsumatorëve për shkak të inflacionit që ka arritur në 5.8%, niveli më i lartë në histori. Pyetja është se deri çfarë mase evropianë do të jenë të gatshëm të vuajnë në përpjekjet për të ndaluar sulmin e Putinit ndaj Ukrainës?

 

“Pasojat për ekonominë evropiane do të ishin të mëdha”, thotë Simone Tagliapietra, ekspert i politikave energjetike në organizatën “Bruegel” me seli në Bruksel. “Dhe për këtë arsye, do të duhej të kishte një vendim paraprak, të qartë, politik që ne jemi të gatshëm të komprometojmë ekonominë tonë, ne jemi të gatshëm të përballojmë një recesion, në mënyrë që të godasim Putinin aty ku i dhemb”, thotë ai.

 

Presidenti amerikan Joe Biden e pranoi të njëjtën gjë kur njoftoi ndalimin nga Shtetet e Bashkuara të importimit të naftës nga Rusia, duke thënë se “shumë nga aleatët dhe partnerët tanë evropianë nuk do të jenë në gjendje të bashkohen me ne”.

 

Përpjekjet për të rënë dakord për një bojkot të përbashkët mund të jenë të komplikuara, sepse disa vende anëtare të BE-së janë shumë më të varura se të tjerat nga Rusia. Gjermania dhe Italia mbështeten shumë në gazin natyror rus. Polonia importon 67% të naftës së saj nga Rusia, ndërsa Irlanda vetëm 5%.

 

“Kjo do të jetë përçarëse brenda Evropës, sepse një pjesë e saj rrezikon të vuajë më shumë”, thotë David Elmes, kreu i Grupit Global të Studimit të Energjisë në shkollën e biznesit të Universitetit të Uaruikut. “Kështu që kjo do të shkaktonte një stres të madh në sistemin politik europian, marrëveshjet europiane dhe projektin europian”, shtoi ai.

 

Komisioni Evropian, dega ekzekutive e BE-së, njoftoi të martën një plan për të hequr bllokun nga dy të tretat e gazit natyror rus deri në fund të vitit, duke përfshirë blerjen e sasive më të mëdha të gazit natyror të lëngshëm të importuar me anije dhe përshpejtimin e ndërtimit të burimeve të rinovueshme të energjisë.

 

Kjo tashmë do të jetë një sfidë e madhe, tha kryeministri holandez Mark Rutte, sepse “ne jemi shumë të varur, ky është realiteti i trishtuar”. Arritja e këtij qëllimi të BE-së “kërkon një punë shumë të madhe. Nuk jam i sigurt se mund ta arrijmë këtë, por ne duhet të bëjmë gjithçka në fuqinë tonë për ta realizuar këtë”, tha ai të mërkurën.

 

Duke marrë parasysh krizën e tanishme të energjisë në botë dhe çmimin e naftës që ka arritur në 120 dollarë për fuçi, krahasuar me 76 dollarë për fuçi që ishte në fund të vitit të kaluar, një bojkot evropian i naftës dhe gazit rus do të shkaktonte një rritje dramatike të çmimeve dhe inflacionit, tha ekspertja Tagliapietra nga organizata “Bruegel”. Çmimet nuk do të rriteshin vetëm për Evropën, por edhe vendet e tjera të botës që konsumojnë energji.

 

“Efekti i çmimit është ai që duhet të merret parasysh në këtë situatë, sepse rritja e çmimit të energjisë mund ta shtyjë ekonominë globale në recesion”, tha ai.

 

Megjithatë, intensifikimi i konfliktit, fluksi i refugjatëve dhe imazhet e vuajtjeve po mbajnë këtë çështje në qendër të vëmendjes.

Ekziston “një presion i konsiderueshëm si nga aleatët ashtu edhe nga brenda, publiku ndoshta do ta mbështeste këtë lloj lëvizjeje për sa kohë që nuk do të shkaktonte një rritje dramatike të çmimeve (të energjisë)”, thotë ekonomistja Caroline Bain nga organizata “Capital Economics”.

 

Ekonomistja Bain priste që vendet evropiane të merrnin një “qasje më të matur” në vend të një ndalimi të plotë të burimeve energjetike ruse dhe “të shqyrtonin mënyrat për një reduktim të ndjeshëm të varësisë së tyre nga energjia ruse”.

 

Nafta, e cila eksportohet kryesisht me cisterna, do të ishte më e lehtë për t’u zëvendësuar me furnizues të tjerë sesa gazi natyror, i cili eksportohet kryesisht përmes tubacioneve nga Rusia.

 

Rafineritë evropiane të naftës që e kthejnë naftën e papërpunuar në benzinë janë ndërtuar në mënyrë specifike për të përpunuar naftën ruse dhe do të përballen me sfida në përpunimin e llojeve të tjera të naftës. Rusia i plotëson 14% të nevojave të Evropës për naftën që përdoret për kamionët dhe shumicën e makinave, thonë analistët e organizatës në “S&P Global Platts”, që do të thotë se bojkoti i saj do të “shtrëngonte ndjeshëm tregun”.

 

Evropa e ka kaluar pjesën më të madhe të sezonit të ngrohjes, por do të përballet me një sfidë të rëndë në rimbushjen e rezervave të gazit natyror në kohë për dimrin e ardhshëm.

 

Kontinenti mund të zëvendësojë të gjithë sasinë e nevojshme, përveç 10% deri në 15% të gazit natyror rus, do të shkaktonte përdorim me racione të gazit natyror dhe do të godiste së pari përdoruesit industrialë, thonë analistët e energjisë në organizatën “Bruegel”.

 

Pavarësisht nga pasojat e mundshme, debati mbi një ndalim të importeve të naftës dhe gazit rus është duke vazhduar. Ministri gjerman i Ekonomisë, Robert Habeck, mbrojti të martën vendimin për të përjashtuar energjinë ruse nga sanksionet dhe vuri në dukje se zyrtarët amerikanë thanë se ata “nuk do t’i kërkonin” ekonomisë më të madhe të Evropës që t’i bashkohej një embargoje të naftës ruse.

 

Por disa ligjvënës gjermanë e mbështesin atë.

Bojkotimi i energjisë ruse do të ishte “një vendim i vështirë, por një vendim i mundshëm dhe për këtë arsye i domosdoshëm” që do të “godiste burimin kryesor të të ardhurave të regjimit të Putinit”, thotë Norbert Roettgen, anëtar i komisionit për marrëdhëniet me jashtë të parlamentit gjerman nga partia Krisitan Demokrate në opozitë.

 

Dominik Tarczynski, një anëtar i Parlamentit Evropian nga Partia populiste Ligj dhe Drejtësi e Polonisë tha se: “Ndalimi i Netflix-it është një shaka, sepse njerëzit po vdesin, kështu që ne kemi nevojë për një ndalim të importeve të naftës dhe gazit rus tani.”/VOA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *