Nga Ervin Sina
Pas finales së Konference League në vitin 2022, Federata shqiptare e futbollit po përgatitet për një nga organizimet e veta më të rëndësishme, atë të Kampionatit Europian U-17 që do të mbahet në vendin tonë nga 19 maji në 1 qershor.
FSHF mblodhi aktorë e faktorë të futbollit në vendin tonë në kuadër të masave organizative dhe promovuese të një turneu që ka dhënë impakt me rëndësi edhe në përmirësimin e infrastrukturës sportive në vend, gjë të cilën e evidentoi në fjalën e tij presidenti Armand Duka.
“Për të arritur organizimin e tij, për ne si Federatë, mund të themi e mesme apo modeste, është dashur një punë shumë voluminoze për të përgatitur katër stadiumet që tashmë janë gati; “Arena Kombëtare”, “Elbasan Arena”, “Arena Egnatia”, “Niko Dovana”, 10 fusha stërvitjeje, të cilat për ne vërtetë përbëjnë një punë voluminoze. Për këtë unë dua t’i falënderoj të gjithë ata që kanë bërë të mundur përgatitjen e kësaj infrastrukture, dhe tashmë jemi vërtetë në momentin e duhur, perfekt për ta filluar këtë Europian”, tha Armand Duka.
Në kampionatin europian për moshat deri në 17 vjeç do të marrin pjesë 8 ekipe të ndara në dy grupe.
Shqipëria si organizatore do të jetë e përfshirë në një grup të hekurt sikurse ai A me Francën, Gjermaninë dhe Portugalinë. Ndërsa në grupin B janë Italia, Anglia, Belgjika dhe Çekia. Sfida hapëse do të jetë Shqipëria-Portugali më 19 maj në stadiumin “Arena Kombëtare”./vizionplus.tv