I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar, tha të enjten se një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është e mundshme brenda këtij viti.

 

Zoti Escobar, i cili sonte dhe nesër do të qëndrojë në Prishtinë, i bëri këto komente në përfundim të vizitës në Beograd. Takimet e Beogradit dhe Prishtinës i paraprijnë takimit të së shtunës në Ohër ndërmjet kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit serb Aleksandar Vuçiç.

 

Në takimin e Ohrit palët pritet të diskutojnë rrugët e zbatimit të një plani perëndimor për normalizimin e marrëdhënieve, i cili nuk parasheh njohje të ndërsjellë, por kërkon që palët të respektojnë pavarësinë, sovranitetin dhe tërësinë tokësore të njëra-tjetrës.

 

“Do të doja ta shihja marrëveshjen gjatë këtij viti kalendarik. Mendoj se kjo është plotësisht e mundur”, tha zoti Escobar.

 

I dërguari amerikan po ashtu tha se Asociacioni i komunave me shumicë serbe do të themelohet, çështja është kur do të ndodhë.

 

“Ajo që do të donim të shihnim në takimin e Ohrit, është pranimi se Asociacioni i komunave me shumicë serbe, është një pjesë e rëndësishme e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Kur flas për këtë kërkesë, nuk është se dua të jem konfrontues, apo ta hedh si sfidë. Është fakt që Asosacioni përfshihet në Marrëveshjen e Brukselit, është pjesë e marrëveshjes së tanishme, është pjesë e përfundimeve të Këshillit Evropian, është politikë e Shteteve të Bashkuara. Pra do të ndodhë. Çështja është se sa shpejt do të ndodhë.”

 

Prishtina heziton ta themelojë Asociacionin duke përmendur shqetësimin se ai mund të shndërrohet në një mekanizëm të ngjashëm me Republikën Serbe në Bosnjë, një shqetësim që është hedhur poshtë nga diplomatët perëndimorë.

 

Zoti Escobar tha se gjendja e serbëve në Kosovë do të përmirësohej përmes themelimit të Asociacionit.

 

“Ata janë gjithmonë në qendër të konfrontimeve, tensioneve dhe kjo u shkakton atyre dëme psikologjike dhe dëme të tjera”, theksoi ai.

 

I dërguari amerikan tha se marrëveshja paraqet një nga mundësitë më të mira për rajonin, ndërsa nënvizoi se jo domosdoshmërisht do të ketë ndonjë nënshkrim marrëveshjeje në Ohër, por hapje të rrugës përpara.

 

“Pritjet tona janë që të dy udhëheqësit të jenë në gjendje të dëgjojnë njëri-tjetrin dhe të punojnë për ta bërë këtë marrëveshje realitet. Të mendojnë për pengesat, të kërkojnë mënyra për t’i kapërcyer ato dhe të largohen nga takimi duke e pasur të qartë se do të vazhdojnë të punojnë deri në zgjidhje”, tha ai.

 

Përfitimet nga kjo marrëveshje, tha zoti Escobar, janë integrimi më i shpejtë ekonomik, jo vetëm i Kosovës dhe i Serbisë, por i gjithë rajonit.

 

Serbia e cila kundërshton pavarësinë e Kosovës që u shpall në vitin 2008 me mbështetjen perëndimore, ruan lidhje të fuqishme me Rusinë dhe nuk ka pranuar t’i vendosë sanksione Moskës për shkak të agresionit të saj në Ukrainë, duke llogaritur në mbështetjen e Kremlinit për refuzimin e shtetësisë së Kosovës./VOA/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *