I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, së bashku me të dërguarin e Brukselit Miroslav Lajçak do të nisin sot vizitën e tyre dyditore në Kosovë.

 

Sipas njoftimit zyrtar, çështja e Asociacionit të komunave me shumicë serbe do të jetë një nga temat që do të diskutohen gjatë vizitës së tyre. Por presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, deklaroi se tashmë qëndrimi i Kosovës është i qartë: nuk do të pranohen modele që rrezikojnë stabilitetin e vendit.

 

VJOSA OSMANI
PRESIDENTE, KOSOVE
“Qëndrimet tona ndaj Asociacionit kanë qenë gjithmonë të qarta, ne me ta do të diskutojmë se si ta shtyjmë përpara dialogun për njohje të ndërsjellë. Modele që shpallin Kosovën shtet jofunksional nuk do të lejojmë. Edhe në intervistën e tij të fundit Escobar e tha qartë. Kërkesa e tij është e kundërta e kësaj, që mos të implemetohen modele që veriun e Kosovës e shndërrojnë në republika Srbsbka të re, që do të binte në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës”

 

Osmani nuk i kurseu kritikat edhe për ish-kryeministrat e Kosovës, që sipas saj firmosen marrëveshje në dëm të interesave të vendit.

“Më duhet ta qartësoj që propozimi për të cilin po përflitet, autonomi apo asociacion me kompetenca ekzekutive, asnjëherë nuk i janë propozuar palës sonë, ajo që është problemi i madh është që përfaqësues të Kosovës kanë nënshkruar marrëveshje të dëmshme që Serbisë i kanë dhënë komptetenca ekzekutive në të kaluarën. Është e zeza në të bardhën, është letër e nënshkruar nga ish-kryeministra të Kosovës, tash të cilët fshihen mbrapa komunitetit ndërkombëtar e që nuk i bën mirë Kosovës”

Këto komente, presidentja Vjosa Osmani i bëri pas homazheve në Podujevë te shtatorja e heroit Zahir Pajaziti.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *