Erozioni detar vazhdon të dëmtojë plazhet në Malin e Robit, Qerret dhe pjesërisht në Golem. Prej vitesh bregdeti i Kavajës po përballet me këtë fenomen, ndërkohë që pronarët e hoteleve që gjenden në këtë zonë kanë ndërtuar prita me gurë me shpresë për të frenuar fuqinë e erozionit.
Tomorr Spahiu, një inxhinier me përvojë të gjatë në fushën e inxhinierisë portuale, thotë se ajo që po ndodh në këtë pjesë të bregdetit është prishje e ekuilibrit natyror dhe ndërtimi i këtyre pritave me gurë, nuk është zgjidhje.
Sipas Spahiut, erozioni do vazhdojë të bëjë punën e vet dhe shkaktari kryesor është shfrytëzimi barbar i shtretërve te lumenjve, çka bën që në këto plazhe të mbërrijne me pak aluvione.
Spahiu thote se edhe në rast se këto prita do ndërtoheshin paralel me bregun, përsëri nuk do ishin efektive, ndërkohe që do rrezikonin pushuesit.
Inxhinieri Tomor Spahiu thote se do të duhen vite që situata të ndryshoje dhe hapi i parë mund të jetë një moratorium 10-20 vjet për ndalimin e shfrytëzimit të lumenjve, pasi sipas tij vendimet që lidhen me natyren, nuk duhet të merren nga politika, por nga specialistët./vizionplus.tv





