Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, i propozoi sot homologut të tij iranian, Masoud Pejeskian, të luajë rolin e “ndërmjetësit” midis Teheranit dhe Uashingtonit, ndërsa tensionet midis SHBA-së dhe Iranit përshkallëzohen me kërcënime për ndërhyrje ushtarake amerikane dhe përgjigje të menjëhershme iraniane.
“Gjatë bisedës së tyre telefonike, Presidenti Erdogan theksoi se Turqia është e gatshme të luajë rolin e ndërmjetësit midis Iranit dhe SHBA-së me qëllim uljen e tensionit dhe zgjidhjen e problemeve”, tha presidenca turke në një deklaratë.
Lexo edhe :
Nga ana e tij, Pejeskian vlerësoi se Uashingtoni duhet të ndalojë kërcënimet për ndërhyrje ushtarake në Iran në mënyrë që t’i japë një shans diplomacisë, theksoi presidenca iraniane.
“Suksesi i çdo iniciative diplomatike varet nga vullneti i mirë i palëve të interesuara”, vuri në dukje Pejeskian gjatë bisedës së tij me Erdoganin.
Sipas shtypit turk, presidenti turk po kërkon gjithashtu të organizojë një samit trepalësh SHBA-Iran-Turqi.
Ministri i Jashtëm iranian në Stamboll
Ndërkohë, Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, mbërriti në Stamboll këtë mëngjes, ku do të takohet me homologun e tij turk, Hakan Fidan.
Turqia, një anëtare e NATO-s, dëshiron të shmangë me çdo kusht një përshkallëzim ushtarak në rajon, i cili rrezikon të shkaktojë një valë të re migrimi dhe të krijojë një konflikt të ri në rajon, pas Sirisë.
Si masë paraprake, Ankaraja po përgatitet të “forcojë sigurinë në kufirin e saj” me Iranin, tha një zyrtar i lartë turk për AFP.
Turqia ka ndërtuar tashmë një mur prej 380 kilometrash (238 milje) përgjatë kufirit, “por kjo nuk është e mjaftueshme”, shtoi ai.
Muri, i përforcuar me tela me gjemba dhe llogore të patrulluara 24 orë në ditë nga ushtria turke, u ndërtua për të kufizuar fluksin e migrantëve nga Irani dhe Afganistani dhe trafikun e drogës.
Në kulmin e protestave në Iran, nuk pati rritje të dukshme të flukseve të migracionit, por çdo sulm amerikan mund të ndryshojë situatën./vizionplus.tv






