Subscribe

Për 4 orë me radhë parlamenti debatoi nëse kriza energjetike është pasojë e agresionit rus mbi Ukrainën dhe efektet e tij në tregjet ndërkombëtare; apo siç pretendon opozita është krizë korrupsioni.

 

Numri 2 i qeverisë, Belinda Balluku, vlerësoi mënyrën si mazhoranca ka menaxhuar këtë krizë, duke vënë në dukje se çmimi i energjisë për konsumatorin familjar nuk është rritur, pavarësisht rritjes në bursa. Por, kryetari i PD, Sali Berisha, akuzoi qeverinë se ka shfrytëzuar krizën për të vjedhur shqiptarët.

 

BELINDA BALLUKU

 

ZEVENDESKRYEMINISTRE E SHQIPERISE

 

“Shqipëri po përballet dhe me një situatë thatësire, duke pasur parasysh që vitin e kaluar është prodhuar në total 4.49 teravat, ndërkohë sot në muajin e 10-të kemi arritur me reshjet që ka pasur ky vit të prodhojmë vetëm 2.7 teravat, sado që do të prodhohet në dy muajt e ardhshëm, pra nëntor, dhjetor, nuk do të arrijmë as nivelin e vitit të kaluar të prodhimit të KESH, pra 4.49 teravat. Kemi krizën energjetike në treg, ku në 30 gusht arriti të shitej megavatori me 1040 euro.”

 

SALI BERISHA

 

KRYETAR I PD

 

“Fakti është se në vitin 2021, Shqipëria prodhoi 9 terravat energji,nga e cila konsumon vetëm 7. Fakti tjetër është se po vidhni në mënyrën më të papërmbajtur. Sepse si në asnjë vend tjetër, e shisni energjinë e digave te agjentët tregtarë tuaj me 40 euro megavati, dhe ai e shet në bursa me 120 euro dhe ju sjell të gjithë fitimin që keni përcaktuar së bashku.”

 

Mazhoranca dhe opozita kane replikuar edhe për mënyrën si është menaxhuar  sistemi energjetik i vendit  ndër vite.

 

BELINDA BALLUKU

 

“Çfarë bërët ju deri në 2013-ën përveçse shkatërruat të gjithë sistemin? Ju e morët sistemin e bërët copash, i morët hidrocentralet që ekzistonin i privatizuat në shkëmbim të tvsh-së për qejfet tuaja dhe nuk bëtë asgjë për sistemin energjetik. Shqipëria ka nisur Skavicën të dashur deputetë.”

 

SALI BERISHA

 

“Ne kemi sjellë gazin azer në Europe, janë licensuar nga ajo qeveri 432 hidrocentrale e treta harrojë Skavicën, kur të mbysësh ti Dibrën do çohet nga varri Enver Hoxha dhe Balluku.”

 

Kriza në sistemin energjetik ka dominuar debatin politik në vend, veçanërisht pasi qeveria bëri publike nismën për të rritur çmimin e energjisë për familjet që konsumojnë më shumë se 800 kw/orë në muaj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *