EMRI/ Vidhte para dhe sende me vlerë në makinat e pushuesve, arrestohet 40-vjeçari në Durrës

Policia e Durrësit ka finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Pamjet”, që kishte për qëllim zbardhjen e disa vjedhjeve të ndodhura më parë në qytet. Si rezultat i këtij operacioni, u arrestua shtetasi Gentian Llana, 40 vjeç, banues në Durrës, i cili ishte shpallur më herët në kërkim për disa vepra penale të ngjashme.
Sipas hetimeve dhe analizës së pamjeve filmike të siguruara nga kamerat e sigurisë, ky shtetas rezulton autor i 5 vjedhjeve të ndodhura në lagjet nr. 12 dhe nr. 17, ku ka vjedhur shuma parash në euro, aksesorë dhe sende me vlerë nga automjete, motoçikleta dhe banesa.
Gjatë kontrollit, Policia sekuestroi mjetet që i dyshuari përdorte për të kryer vjedhjet, të cilat do të shërbejnë si prova materiale në vijim të hetimeve.
Në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, vijon puna për dokumentimin e plotë ligjor të veprimtarisë kriminale të këtij shtetasi, i cili do të përballet me akuzën për veprën penale “Vjedhja”, kryer më shumë se një herë.
Policia e Durrësit nënvizon se puna parandaluese dhe zbuluese ndaj veprave penale në fushën e vjedhjes do të vijojë pa ndërprerje.
/vizionplus.tv




