Policia Kufitare në PKK Port Sarandë ka arrestuar një shtetas shqiptar të shpallur në kërkim ndërkombëtar, i dënuar nga autoritetet italiane me 18 vite burg për pjesëmarrje në organizatë kriminale dhe trafik droge.
Në kuadër të kontrolleve të shtuara dhe në bashkëpunim me Interpol Tiranën, u bë identifikimi dhe arrestimi provizor i shtetasit Ermal Kostare, i njohur edhe me emrin Denis Rama, 50 vjeç, banues në Tiranë dhe rezident në Mbretërinë e Bashkuar.
Ai tentoi të largohej nga Shqipëria përmes Portit të Sarandës, duke paraqitur pasaportë me identitet të rremë. Gjatë kontrollit, punonjësit e Policisë Kufitare ngritën dyshime mbi dokumentin dhe e kaluan për verifikim të thelluar në vijën e dytë.
Përmes pajisjes biometrike dhe krahasimit të gjurmëve të gishtave me të dhënat e Interpol Tiranës, u konfirmua identiteti i vërtetë i 50-vjeçarit, i cili rezultonte i dënuar nga gjykata italiane për veprat penale “Organizatë kriminale” dhe “Trafikimi i narkotikëve”.
Interpol Tirana po vijon procedurat në bashkëpunim me Interpol Romën për ekstradimin e tij në Itali.
/vizionplus.tv





