Dy shqiptarë janë arrestuar nga policia greke në lidhje me plagosjen e një shtetasi pakistanez në Athinë. Të ndaluarit janë identifikuar si Jerasimo Korkuti, 31 vjeç, nga fshati Gjashtë i Sarandës, dhe Andi Beqiri, 27 vjeç, nga Konispoli.
Së bashku me ta u arrestua edhe një shtetas grek 30-vjeçar, i njohur për precedentë të rëndë penalë, i cili dyshohet të jetë autori kryesor i sulmit ndaj pakistanezit në biznesin e tij në zonën e Patisias.
Sipas mediave greke, autori i dyshuar ka hyrë i maskuar në dyqan, i shoqëruar nga një prej shqiptarëve. Pas plagosjes, të dyshuarit janë larguar me një automjet tip “BMW”, duke shkaktuar një ndjekje me policinë në rrugët e Athinës.
Gjatë tentativës për t’u arratisur, automjeti është përplasur me disa mjete të tjera, derisa policia arriti ta ndalonte dhe të arrestonte tre personat.
Ndërkohë, një person i katërt, i dyshuar gjithashtu si shqiptar, ka mundur të largohet dhe është shpallur në kërkim nga autoritetet greke.
Emri i Andi Beqirit nuk është i panjohur për policinë greke. Në shtator të vitit 2022, ai u arrestua në zonën e Haidarit në Athinë, pasi në automjetin ku udhëtonte u gjetën dy armë kallashnikov me dy krehëra dhe rreth 90 fishekë.
Në makinë u sekuestruan edhe dy bileta që lidhnin udhëtimin me qytetin kufitar të Igumenicës. Bashkë me Beqirin u arrestua edhe 41-vjeçari Viktor Cala, i cili rezultonte person në kërkim në Greqi.
Ky i fundit dyshohej si autor i vrasjes së një romi dhe tentativës së vrasjes së një shqiptari. Sipas hetimeve të atëhershme, vrasja dyshohej se ishte porositur nga Klod Cara alias Klodian Lekocaj, 49 vjeç nga Berati, i burgosur prej vitesh në Greqi dhe i akuzuar si organizator i disa krimeve të rënda, përfshirë vrasje.
Lidhur me plagosjen e pakistanezit në Athinë, policia greke dyshon se ngjarja lidhet me larje hesapesh.
Sipas hetimeve paraprake, autori kryesor, shtetasi grek 30-vjeçar, ka qenë më parë i përfshirë në një plagosje me thikë ndaj një biznesmeni, si dhe në një vrasje të lidhur me përplasjet mes huliganëve të tifozërive greke.
Autoritetet greke vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe identifikimin e personit të katërt të arratisur.
/vizionplus.tv





