EMRAT/ Atentati në Pogradec ndaj djalit të biznesmenit, arrestohen 5 persona, autorët ende në kërkim
Pesë persona u arrestuan nga policia për plagosjen me armë zjarri të 22-vjeçarit, Joan Muçllari, djali i pronarit të hotelit “Voloreka” në Pogradec.
Në pranga përfunduan Fatjon Bono 32-vjeç, Kristian Kresto 26-vjeç, Hekuran Gjona 22-vjeç, Ledion Shkullaku 27-vjeç dhe Rudi Shaho 28-vjeç. Ata akuzohen për veprat penale “Moskallëzimi i krimit”, “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” dhe “Përkrahja e autorit të krimit”.
Nga hetimet rezultoi se këta persona në bashkëpunim me njëri-tjetrin ndihmuan dy autorët e krimit Firdeus Berberin dhe Griseld Maxharin të largoheshin nga vendngjarja. Për transportimin e dy të rinjve, ata përdorën një automjet tip “Benz” dhe një “BMW X5”.
Ndërkohë, u sekuestrua në cilësinë e provës materiale dhe makina tip “Golf” me të cilën po lëviznin autorët.
21-vjeçari Firdeus Berberi dhe shoku i tij 20-vjeçari Griseld Maxhari, të cilët janë në kërkim, akuzohen për “Vrasje me dashje”, kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë, “Mbajtje pa leje dhe prodhim i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Prishje të qetësisë publike”.
Plagosja e Joan Muçllarit dyshohet se ka lidhje me një konflikt disavjeçar. Konflikt që mendohet se nisi fillimisht mes tre të rinjve e që degradoi më pas në përfshirjen e të afërmve të tyre, ku më 8 gusht të vitit 2020 dhjetëra plumba u zbrazën drejt hotelit në pronësi të, Jetmir Muçllari, babai i të plagosurit.
Për ngjarjen në hotel “Voloreka” në Tushemisht u arrestuan aso kohe 7 persona, mes të cilëve dy organizatorët Ilir dhe Meard Berberi, si dhe personi qe hapi zjarr Anterio Kaloshi. Ky i fundit i përfshirë dhe në masakrën e Lushnjës në vitin 2017 ndërsa dy të tjerët me precedent të theksuar kriminal.
Po kjo përplasje mes dy palëve duket se nuk është mbyllur. Një ditë më parë, djali i Ilir Berberit, Frideus Berberi së bashku me mikun e tij Griseld Maxharin pasi u përplasën fizikisht me 22-vjeçarin Joan Muçllari, e qëlluan atë me pistoletë në këmbë e me thikë në pjesë ne kokës duke e lënë të plagosur. Kjo është hera e tretë që palët përplasen mes tyre.




