Nën dyshimet se kanë shpërdoruar detyrën e shtetit, 20 nëpunës publikë u morën të pandehur nga prokuroria e Tiranës për fondet e Ministrisë së Bujqësisë që do t’u shkonin në ndihmë fermerëve të vendit.
Hetimet nisën pas kallëzimit të bërë nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural bazuar në raportet e auditit që Kontrolli i Lartë i Shtetit kreu, ku për shtatë procedura prokurimi, referohet se janë evidentuar shkelje të rënda ligjore në prokurime të zhvilluara kryesisht me negociim pa shpallje paraprake dhe fond limit 525,000,000 lekë pa TVSH.
“Procedurat për të cilat u konstatuan shkelje kishin të bënin me prokurimet për “Shpenzime mbrojtje bimësh dhe luftimi i parazitëve në bujqësi”, për ‘Blerje pajisje për shërbimin veterinar (motoçikleta, kaska, veshje, doreza, çanta), “Blerje kafshë të llojit gjedh për dëmshpërblimin e fermerëve të dëmtuar nga dermatoza nodulare e gjedhit” si dhe për ‘Sistem i monitorimit me kamera për hidrovoret’.”
Gazetarja e Vizion Plus, Blerina Cene siguroi 20 emrat e funksionarëve publikë të cilët prokuroria i dyshon se kanë shkelur ligjin duke kryer një testim fiktiv të tregut. Ata rrezikojnë deri në shtatë vjet heqje lirie.
Prokuroria e Tiranës ka mbyllur hetimet dhe dërguar për gjykim 20 nëpunës publikë me akuzën se kanë shpërdoruar detyrën në të paktën 7 prokurime në Ministrinë e Bujqësisë. Hetimet zbuluan se zyrtarët publikë, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë manipuluar kriteret e prokurimeve duke dëmtuar interesat e shtetit dhe qytetarëve. Gjithashtu, u konstatuan veprime fiktive në testimin e tregut, ndërsa procedurat janë zhvilluar në mënyrë të parregullt dhe të paligjshme.
Gazetarja e Vizion Plus, Blerina Cene raporton emrat e zyrtarëve:
Mimoza Kita, Erola Halili, Gavrosh Xhindoli, Imir Alla, Adra Gjingecaj, Lulzim Konçi, Elida Palluqi, Luan Hajno, Merita Petushi, Edi Fero, Aldin Lika, Ermira Riznavolli, Ismet Bici, Arjan Zeqiri, Alfred Gjonaj, Sotiraq Papa, Alketa Ikonomi, Alma Dhrako, Kristaq Nica, Admir Ago.
/vizionplus.tv





