Bitincka është një nga fshatrat më të njohur të Devollit. Dikur fshati ka pasur 650 shtëpi dhe më shumë se 3.000 banorë. Ndërsa tani, nuk ka më shumë se 500 shtëpi dhe diçka më pak se 2.000 banorë. Bitincka ashtu si gjithë fshatrat e Devollit, është e urbanizuar, por vuan mungesën e investimeve.

 

Kjo e fundit ka bërë që banorët e këtij fshati të cilët kanë emigruar në shumë vende të Europës të mblidhen për të bërë diçka për fshatin e tyre, sepse ata e kanë të pamundur të shkëputen me vendin ku u lindën dhe u rritën. Shpresa Spaho, këngëtarja e njohur e Operas jetën e saj e ndan mes Romës dhe Tiranës, por Bitinckën siç thotë edhe vetë e ka në shpirt. Ajo na tregon se investimi i parë i tyre ka filluar në varrezat e fshatit.

 

Shpresa Spaho – emigrante

“Duke parë që rrënjët tona janë këtu, ne nuk e harrojmë kurrë vendlindjen dhe vendosëm të investojmë. Këtu janë prindërit tanë, njerëzit tanë.”

 

Anila Kodra është mjeke në profesion, jeton në Padova të Italisë prej vitit 1997. Kontaktet e para me banorët e Bitinckës që kanë emigruar prej vitesh i ka pasur në rrjetet sociale, atje ku të gjithë sëbashku kanë vendosur të investojnë sado pak për fshatin e tyre, për shkollën, për kopshtin, për çesmat e fshatit por dhe gjëra të tjera.

 

Anila Kodra – emigrante

“Po japim kaq shumë për botën jashtë, kur zgjuarsinë dhe shkollën na i dha mëmëdheu. Nga aty, na lindi dëshira për të thirrur sa më shumë për të bërë sensibilizim.”

 

Nga ana tjetër Eriketa Xhemo na tha se falë edhe mbështetjes së emigrantëve po bëhet e mundur ruajtja e traditës së kulinarisë. Për ta treguar këtë ata kanë organizuar një panair me gatime të zonës por dhe të fshatit të tyre.

 

 

Eriketa Xhemo – banore

“Kemi një pasuri shumë të madhe. Të gjitha shpenzimet që janë bërë, janë bashkuar nga emigrantët dhe njerëzit e fshatit.”

 

Kryetari i Bashkisë Devoll, Eduard Duro është treguar i gatshëm për të bashkëpunuar me emigrantët e fshatit Bitinckë dhe jo vetëm përsa i përket investimeve.

 

Eduard Duro – kreybashkiak

“Çdo investim i bërë nga shoqata e emigrantëve është mbështetur nga bashkia. Dhe ne e kemi kthyer në investim publik për fshatin Bintickë.”

 

Investimet e banorëve në emigracion, është një risi, që ndodh për herë të parë në të gjithë qarkun.

 

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *